Ukshin Hoti – intelektuali që nuk bëri kompromise

Picture of Ina Online
Ina Online

19/06/2025

shkruan Arsim Sinani

Ka njerëz që, edhe kur heshtin, flasin më fort se të gjithë zërat bashkë. Ukshin Hoti ishte njëri prej tyre, zëri më i veçantë. Ai nuk ishte vetëm filozof, diplomat dhe intelektual. Ai ishte ndër të paktët që e bëri mendimin akt politik, dhe etikën ideal të jetës publike.

Në një kohë kur kompromisi u bë monedhë e përditshme për mbijetesë politike dhe personale, Hoti zgjodhi të mos dorëzohet. Ai nuk bëri asnjë kompromis – jo sepse ishte kokëfortë, por sepse për të liria nuk ishte një nocion abstrakt. Ishte nevojë jetike, mjet dhe qëllim njëkohësisht. E kuptonte se pa liri nuk mund të ketë as drejtësi, as dinjitet, e as të ardhme për një popull të shtypur si ai i Kosovës.

Ai ishte produkt i Perëndimit, i shkolluar në Zagreb dhe në Universitetin e Harvardit, por gjithmonë i lidhur ngushtë me fatin e popullit të tij. Ky formim i dyfishtë – intelektual dhe kombëtar – e bëri Hotin unik. Ai nuk shërbeu si zëdhënës i interesave të huaja, por si zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare, në një kohë kur ky zë dënohej me burg e zhdukje.

Në veprën e tij themelore, Filozofia politike e çështjes shqiptare, Hoti nuk ofron vetëm analiza të thella politike, por një projekt për emancipimin e plotë të kombit shqiptar. Ai nuk kërkonte thjesht pavarësi, por një vetëdije të re, një rilindje morale dhe intelektuale. Për të, një komb nuk ndërtohet me flamuj e fjalime, por me arsim, drejtësi, përgjegjësi dhe mbi të gjitha — me njerëz të lirë në mendim dhe në veprim.

Ukshin Hoti e kuptonte se kompromisi me padrejtësinë nuk është mençuri politike, por vonesë e lirisë. Prandaj ai nuk heshti, nuk u tërhoq, nuk bëri pazare. E pagoi këtë me burgosje të rënda dhe në fund me zhdukjen e tij misterioze në vitin 1999 nga burgu i Dubravës – një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive shqiptare, ende pa drejtësi dhe pa përgjigje.

Hoti – heroi i madh i Kosovës.

Sot, kur Republika e Kosovës është shtet; kur liria formale nuk shoqërohet me liri të mendimit e as me përgjegjësi të udhëheqësve, fjala e Ukshin Hotit është më aktuale se kurrë, sepse është antipod – pasi ai sakrifikohet, e këta sot krekosen. Modeli i tij politik dhe moral do të duhej të ishte një doktrinë zhvillimi për gjithë kombin shqiptar — sepse ai na fton me fuqinë e mendimit të tij drejt bashkimit, unitetit, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë, gjëra që ende i mungojnë politikës shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.

Liria e Kosovës, e menduar dhe e kërkuar pa kompromis nga Ukshin Hoti, është themel i demokracisë dhe i rrugës drejt forcimit të qytetarisë dhe institucioneve demokratike të vendit.

Ukshin Hoti na kujton se fjala mund të jetë më e rrezikshme se arma – sidomos kur është e pastër, e qartë dhe e lirë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ai u zhduk: sepse ishte fjala që nuk mund t’i nënshtrojë shqiptarët nga pushtuesit si Serbia.

Por idetë e Ukshin Hotit fituan. Mungesa e tij është vetëm fizike; ndërsa shpirtërorja e tij nuk vdes kurrë, pasi Ukshin Hoti është me ne, e mbrothësia e tij jeton përjetë.

*Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

TË FUNDIT

Ndryshimi i madh në fluturime brenda zonës Schengen, mjafton vetëm bileta e avionit

Edona e la Kosovën, u rikthye në Gjermani: Ja pse ika?

Tare pa fat, Jashari si duket do mbetet në klubin belg

‘Nuk e di nga dolën’/ Shpat Kasapi përgënjeshtron lajmet e ndarjes

ita Ora në televizionin amerikan: Nuk harroj kurrë prej nga vij, kam folur gjithmonë hapur për prejardhjen time

Kundër plakjes! Sekreti i rinisë së përjetshme qëndron në një ushqim “magjik”

ME TE LEXUARA

1

LEXO MË SHUMË