“Unë nuk vlej 100 mijë denarë”, Artan Kastrati i revoltuar me Ministrinë e Kulturës

0

Aplikoi me projekt në manifestimin “Vala e re kulturore 2019” dhe kërkoi 600 mijë denarë për koncertin “20 vjet me këngët e Leonora Poloskës dhe Artan Kastratit”, por Ministria e Kulturës ia ndau vetëm 100 mijë denarë. Kjo shumë të hollash e ka revoltuar muzikantin Artan Kastratin.

“Unë në karrierën time 25 vjeçare sot mora vendimin të dal haptas kundër Ministrisë së Kulturës për të gjitha këto marifetllëqe, korrupsion e gjithçka”, u shpreh Artan Kastrati.

Për përvojën dhe emrin që ka, Kastrati thotë se meriton më shumë se 100 mijë denarët që sipas tij janë të pamjaftueshme për projektin.

“Realisht kur shoh se persona të tjerë që në listën që është publike, që nuk janë të rangut tim, sepse ai në karrierën e tij nuk ka realizuar as 6 këngë dhe merr 600 mijë, 500, 400, 300 mijë denarë, nuk është në rregull. Nuk poshtërohet vlera e një artisti siç jam unë por të mos i poshtërojmë njerëzit e tjerë meritorë të këtij vendi”, tha Artan Kastrati.

Kastrati kërkon që Ministria të rishikojë ndarjen e mjeteve, por shefi i kabinetit të Ministrit të Kulturës, Faton Fazliu thotë se ata që kanë ankesa, mund të ankohen.

“E kam të qartë faktin se jo të gjithë janë të kënaqur. Ankesa do të ketë mirëpo apeloj deri tek të gjithë ata të cilët kanë ankesa të këtij lloji, kanë afat ligjor prej 15 ditësh ku mund të ankohen te Ministria e Kulturës, që komisioni t’i marrë në rishqyrtim ankesat e tyre. Ata me një elaborim më të detajuar mund ta shpjegojnë rastin dhe nëse ata janë në të drejtë që janë të anashkaluar apo të dëmtuar në këtë rast Komisioni do të rishqyrtoj dhe do të vendos përsëri në mënyrën më objektive të mundshme”, theksoi Faton Fazliu, shef i kabinetit të Ministrit të Kulturës.

Fazliu hedh poshtë akuzat për ndikime në ndarjen e projekteve. Ai siguron se komisioni ka punuar në mënyrë të pavarur dhe në bazë të kritereve të kërkuara. Por nëse fjalët e tij bien në vesh të shurdhër të Ministrisë, Kastrati thotë se as nuk do ta marrë mundimin të shkojë dhe t’i marrë paratë që i janë ndarë.

“Nuk i marr unë paratë se nuk vlej unë 100 mijë denarë. I refuzoni? Po publikisht i refuzoj”, potencoi Artan Kastrati.

“Është e drejtë e tij. Ne nuk mund të vlerësojmë a do ta realizojë projektin ose jo”, u shpreh shefi i kabinetit të Ministrit të Kulturës, Faton Fazliu.

Buxheti total për “Valën e re kulturore” të këtij viti është 20 milion denarë ndërsa sipas listës mjete në shuma të ndryshme kanë fituar 154 aplikues./Tv21