Unioni Euroazik i Putinit që po josh Ballkanin, Reka alarmoi për skenarin rus

0

Ndërhyrja ruse në Ballkan tashmë po sinjalizohet edhe me oferta konkrete për aleanca. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, ambasadori Vlladimir Çizov dje i ka bërë ftesë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që ti bashkohen Unionit Euroaziatik Ekonomik (EEU). Kjo thirrje vjen pasi që BE refuzoi dhënien e datës për fillimin e bisedimeve me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. Diplomati rus ka thënë se Maqedonia dhe Shqipëria më shpejt do të gjejnë mirëkuptim në EEU se sa në BE. Alarmin për planet dhe skenaret e tilla më parë e alarmoi edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Blerim Reka, ku tërhiqte vërejtjen se mini-shengeni ballkanik është zëvendësim për BE-në dhe një paradhomë e Unionit Euro – Aziatik të Putinit, përcjellë INA.
“Treni Euro-Aziatik i Ballkanit…Dje aeroplanët rusë dhe treni kinez arritën në Beograd. Sot, Kryeministrja e Serbisë nënshkruan hyrjen në Unionin Euro-Aziatik të Moskës. Ndërkaq, Kryeministri i Shqipërisë, ende nën përshtypjet e trialateralës së Novi Sadit, thotë se “nuk ka mini-shengen balkanik pa Kosovën”. Pse kaq insistim për ta kyçur Kosovën si vagon të tretë në lokomotivën e Vuqiqit; kur Prishtina qartë tha, se nuk do t`i bashkëngjitet kësaj paradhome të Unionit Euro-Aziatik.”, ka shkruar profesori Reka lidhur me skenarin që po zihet për Ballkanin. EEU është formuar në vitin 2015 dhe anëtare të saj janë: Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Armenia, Kirgistani. EEU më 28 tetor nënshkroi marrëveshje për tregti të lirë me Serbinë, ndërsa një marrëveshje të ngjajshme e ka nënshkruar në vitin 2018 edhe me Iranin. (INA)