Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim me seli në Zvicër ka bërë të ditur qëndrimin e tij pasi që Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut anuloi metodologjinë, e cila diasporën e njihte si popullatë “jo rezidente”. Gjykata e ka vlerësuar si jokushtetuese këtë metodologji të imponuar dhe diskriminuese, duke vlerësuar se qytetarët e RMV-së kudo që janë konsiderohen të barabartë.
Unioni procesin e Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2021 e kacilësuar atë si një nga sfidat më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për shqiptarët e Gostivarit dhe mbarë diasporën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe se ka qenë pjesë e një procesi të palodhshëm në realizimin e regjistrimit të diasporës në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë 2021.
Në një reagim zyrtar, Unioni thekson se nuk ka hequr dorë asnjëherë nga përpjekja për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent, duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe ligjore.
“Në çdo mbledhje, në çdo takim tonin, çështja e Regjistrimit 2021 ka qenë tema më e rëndësishme. Sepse nuk bëhej fjalë vetëm për statistika, por për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për t’u llogaritur të barabartë,” thuhet në deklaratë.
Unioni shton se ka ndërmarrë hapa konkretë – nga adresimi i reagimeve dhe ankesave pranë institucioneve kompetente, te ngritja e zërit në media dhe përmes kanaleve zyrtare – duke kërkuar që të respektohen shifrat reale dhe të përdoren të dhënat zyrtare të regjistrimit.
“Nuk mund t’i mohohen Gostivarit 34.186 banorë dhe shqiptarëve në përgjithësi 172.942 banorë më pak. Kjo nuk është vetëm padrejtësi statistikore – është fshirje e pranisë sonë,” thekson më tej Unioni. (INA)