Universiteti i Tetovës filloi me prezantimin e ofertës akademike për vitin 2021/22

Universiteti i Tetovës ka filluar me prezantimin e ofertës arsimore – shkencore për vitin akademik 2021/22. Fakulteti Pedagogjik e prezantoi ofertën para nxënësve të Gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup. Duke zbatuar masat e caktuara nga organet kompetente për mbrojtje nga Covid-19, kjo ngjarje u zhvillua online. Përgjatë tërë prezantimit, nxënësit ishin mjaft kureshtarë për ofertën arsimore-shkencore, kushtet e studimit, programet, drejtimet studimore dhe mundësitë për punësim. Duke shikuar nga kjo pikëpamje, numri i studentëve që do t’i vazhdojnë studimet në Universitetin tonë pritet të jetë i lartë.

Në këtë prezantim morën pjesë: Prof. Dr. Buniamin Memedi, Doc. Dr. Teuta Rasimi dhe Doc. Dr. Jasmina Troshanska. Profesori i Fakultetit Pedagogjik Prof. Dr. Buniamin Memedi theksoi se interesimi ishte i madh, si rezultat i mundësive që ofron, traditës dhe kualitetit që ka Universiteti i Tetovës. “Fakulteti Pedagogjik filloi me prezantimet për ofertën akademike 2021/22 me maturantët e Gjimnazit ,,Ismet Jashari” ne Likovë dhe me maturantët e Gjimnazit ,,Zef Lush Marku” në Shkup. Me moton “Përkushtoju së ardhmes” te pranishmeve iu prezantua oferta akademike 2021/22. Në fund të prezantimit nxënësit kishin hapësirë të parashtrojnë pyetje. Maturantët ishin më tepër të interesuar për mundësinë e studimeve, për praktikat profesionale, për kompetencat e tyre që do t’i fitojnë gjatë studimeve dhe për mundësinë e punësimit pas kryerjes së studimeve. Ata apostrofuan Universitetin e Tetovës si zgjedhjen e tyre për të studiuar, sepse tani më ka traditë dhe kualitet të dëshmuar” – tha Prof. Dr. Buniamin Memedi.

Po ashtu edhe Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore ka organizuar prezantimin e të gjitha programeve studimore për maturantët tanë. Në promovim morën pjesë dekani, prodekanët, shefat e programeve studimore dhe disa mësimdhënës të caktuar nga katedrat e kësaj njësie akademike.

Prezantimi online i ofertës akademike do të realizohet edhe në qytetet tjera të vendit tonë dhe më gjerë.