Uragani “Florence”, Trump shpall emergjencën

0

Më shumë se një milion njerëz janë urdhëruar të evakuohen nga disa pjesë të bregdetit juglindor amerikan, ndërkohë që një stuhi e fuqishme në Oqeanin Atlantik vazhdon të lëvizë drejt tokës.

Urdhrat e evakuimit të detyrueshëm u janë dhënë banorëve në disa pjesë të Karolinës së Jugut, Karolinës së Veriut dhe Virxhinias. Zyrtarët po u bëjnë thirrje njerëzve të përgatiten për erëra dhe shira shkatërrimtare që parashikohet të sjellë Uragani Florence.

Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se pret që stuhia të prekë tokë të enjten mbrëma ose të premten në mëngjes, duke e përshkruar atë si “një stuhi jashtëzakonisht e rrezikshme”.

Florence është një stuhi e kategorisë 4, me erëra maksimale të qëndrueshme prej 215 kilometrash në orë. Parashikuesit mendojnë se uragani do të forcohet akoma më shumë këto ditë. Kjo është stuhia më e fuqishme që kërcënon rajonin në gati tre dekada.

Një stuhi e kategorisë 4 zakonisht sjell erëra të tilla që shkatërrojnë çati dhe çrrënjosin pemë, duke sjellë ndërprerje të mëdha të energjisë dhe duke bërë të pabanueshme zona të tëra për javë ose muaj.

Përveç kësaj, parashikuesit e motit presin që uragani Florence të sjellë 38 deri në 50 centimetra shi në zonat ku do të kalojë.

Guvernatori i Karolinës së Jugut Henry McMaster parashikon se rreth një milion njerëz do të largohen nga shtëpitë e tyre.

Presidenti Donald Trump nënshkroi të martën deklarata të emergjencës për Karolinën e Veriut dhe të Jugut, për të krijuar mundësinë që të vihen në dispozicion fonde dhe burime të tjera federale.

Ai u tha gazetarëve në Pensilvani: “ne jemi absolutisht të përgatitur” për uraganin Florence. Presidenti pohoi se stuhia mund të shkaktojë dëme të rënda.

Jeff Byard i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave Federale tha se stuhia nuk do të jetë “një goditje kalimthi”, por një grusht i drejtpërdrejtë mbi brigjet lindore”. Kjo, tha ai, “nuk do të jetë një stuhi nga e cila njerëzit mund ta marrin veten brenda pak ditësh”./VOA

Trump shpallë emergjencën

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një numër paralajmërimesh në pritje të Uraganit Florence, që ka fituar fuqi ndërsa po i afrohet Karolinës Jugore dhe veriore.

Në një postim në “Twitter”, ai tha se kjo është një nga stuhitë më të fuqishme që do të godasë brigjet lindore në shumë vite. Florence për momentin është një stuhi e kategorisë katër, me erëra që kapin shpejtësinë e 220 km në orë.

Duke patur parasysh trajektoren aktuale, ajo pritet të prekë në tokë në afërsi të Uillmingtonit në karolinën e veriut, gjatë pasdites. Një numër urdhrash për evakuim janë lëshuar në Karolinën e Jugut, atë të veriut dhe Virxhinia, duke prekur më shumë se 1 milionë persona. Vetë presidenti Trump ka nënshkruar deklaratat e emergjencës për zonat e prekura. Ai ka dërguar edhe të paktën pesë postime në “Twitter” në të cilat paralajmëron njerëzit të dëgjojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.

“Florence është jashtëzakonisht i fuqishëm, dhe nuk ka asgjë që mund ta frenojë atë”, tha guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster në konferencën për shtyp të së hënës. “Kur të godasë ujërat e ngrohta të gjirit, pritet të intensifikohet edhe më shumë”. “Herën e fundit që pjesa qendrore e brigjeve lindore ka parë një uragan të tillë, Dwight Eisenhower ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe Marilyn Monroe e Joe DiMaggio sapo ishin martuar”, shkruan Associated Press.