Ushtarët protesta para Qeverisë

Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë të Maqedonisë së Veriut njoftoi se sot nga ora 11 do të vendosë tenda dhe thasë gjumi para Qeverisë.

“Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë të Maqedonisë, që nga themelimi i saj, vazhdimisht dhe intensivisht punon për përmirësimin e standardit të pjesëtarëve në Armatën e Republikës së Maqedonisë, për përmirësimin e marrëdhënieve sindikatë-punëdhënës-Ministrinë e mbrojtjes, përmirësimin e punës, kushteve, insiston në rritjen e buxhetit, në përmirësimin e pajisjeve për punëtorët, në korrigjimet në Ligjin për shërbimin në ARSM për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës së punëtorëve”, thuhet në njoftimin e tyre, përcjell INA.

Ata sqarojnë se sipas nenit 40a të Ligjit për shërbimin në ushtri, ushtarët profesionistë në moshën 45 vjeçare transferohen në institucione të tjera të ndërlidhura. Por tash e dy vite, siç thonë ata, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për transferimin e disa prej ushtarëve profesionistë në një institucion tjetër.

Prandaj sindikata tha se ndërmerr aktivitete me anëtarët e saj që të protestoj para qeverisë, derisa nuk do të plotësohen kërkesat e tyre.(INA)