UT e vlerëson të suksesshëm procesin mësimor të realizuar gjatë kohës së pandemisë

0

Universiteti i Tetovës, pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia globale COVID-19, në vazhdimësi u është përmbajtur rekomandimeve të Komisionit për sëmundje infektive në vendin tonë, me qëllim të mbajtjes së distancës. Deri më tani, në të gjitha njësitë akademike janë realizuar me sukses 39.500 orë mësimore online, në ciklin e parë dhe të dytë, me 223.000 pjesëmarrës aktivë (studentë) në të gjitha orët mësimore gjatë semestrit veror, ndërsa në lëndët praktike dhe laboratorike orët janë organizuar me pjesëmarrje fizike.

Pavarësisht se Universiteti i Tetovës i realizoi të gjitha përgatitjet për mbajtjen e provimeve me pjesëmarrje fizike, si rezultat i keqësimit të situatës në vend, kufizimeve të shumta të qarkullimit të lirë të studentëve nga vendi dhe rajoni, aktualisht, prej 8 qershorit, në mënyrë të suksesshme është duke u realizuar mbajtja e provimeve nga distanca, në të gjitha lëndët mësimore, përveç lëndëve me përmbajtje praktike, të cilat realizohen me pjesëmarrje fizike. Realizimi i provimeve me pjesëmarrje fizike realizohet edhe në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, ku natyra e lëndëve dhe e punës në spital e vështirëson mbarëvajtjen e provimeve.

Universiteti i Tetovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke përgatitur udhëzime dhe trajnime konkrete për studentët dhe mësimdhënësit, në lidhje me realizimin e testimit online, me platformë adekuate e praktike dhe mban kontakt intensiv me studentët dhe mësimdhënësit, të cilët kanë nevojë për përkrahje teknike.

Platforma online e provimeve siguron përkrahje për të gjitha lëndët mësimore dhe sipas natyrës së provimeve. Pavarësisht skepticizmit të vlerësimit online në vendin tonë, shqetësimi nga e panjohura, kjo formë e testimit është një përvojë e re dhe në përputhje me universitetet tjera prestigjioze, krijimin e shprehive të reja të punës, ngritjen e një niveli më të lartë profesional akademik, ndërkaq, pavarësisht se sistemi ofron kontroll të vlerësimit me të gjitha mekanizmat në dispozicion të mësimdhënësve, testimi online është njëkohësisht edhe provim për ndërgjegjen dhe sistemin etik të vlerave morale në botën akademike. Shumë arritje akademike filtrohen në bazë të ndërgjegjes profesionale, andaj gjykojmë se studentët dhe mësimdhënësit tregojnë nivel të lartë të përkushtimit dhe sinqeritetit ndaj kësaj forme të testimit, ku në vlerësimin final sigurisht se do të përfshihen edhe aktivitete të tjera mësimore në lëndët përkatëse.

Universiteti i Tetovës e vlerëson shumë angazhimin e studentëve dhe të mësimdhënësve për punën e suksesshme të kryer gjatë të gjithë situatës së pandemisë, duke uruar që sa më shpejtë situata të kthehet në normalitet për të gjithë. Që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, realizimi i procesit mësimor në Universitetin tonë vlerësohet i suksesshëm gjatë gjithë situatës së pandemisë.(INA)

Gepostet von Universiteti i Tetovës – UT am Donnerstag, 11. Juni 2020