Vajgëll: Nëse marrëveshja nuk kalon, perspektiva euroatlantike është e paparashikueshme

0

Elitat politike në vend ta respektojnë Marrëveshjen e Prespës, në të kundërtën, perspektiva euroatlantike e vendit do të jetë e paparashikueshme, porosit në një intervistë për Klan Macedonia, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgëll, përcjell Alsat M.

Vajgëll në intervistë ka folur rreth zhvillimeve aktuale politike në vend, me theks të veçantë pas referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni.
Ai ka komentuar thelbin e raportit të tij, i cili u mbështet nga një shumicë e gjerë е eurodeputetëve në Komisionin e Punëve të Jashtme.

“Mesazhi kryesor, është se Bashkimi Evropian, përfshirë Komisionin Evropian, Parlamentin dhe Këshillin e ministrave mbështesim Qeverinë e Maqedonisë për të proceduar me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Kjo do të thotë gjithashtu, se duhen respektuar angazhimet e ndërmarra nga Qeveria për marrëveshjen e Përzhinës në rrugën e integrimit euroatlantik. Sigurisht, që ka edhe çështje të tjera lidhur me situatën në Maqedoni të përfshira në raport. Ne nënvizojmë disa pika që mbeten ende të hapura dhe që do dëshironim që të kishte më shumë përputhshmëri me legjislacionin dhe standardet evropiane që kanë të bëjnë me gjyqësorin, lirinë e medias, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thotë Vajgëll në intervistë.

Përveç kësaj, shton më tej ai, ne do të dëshironim që të shihnim më shumë kohezion lidhur me çështjet politike të lidhura ngushtë me të ardhmen e vendit.

“Është e vështirë të kuptosh pse parti të mëdha si VMRO-DPMNE-ja nuk e mbështet Marrëveshjen e Prespës, që përbën shansin e madh të vendit për të ecur përpara. Nuk besoj, se do ketë një tjetër shans të tillë për vendin. Nëse nuk do të arrihet të respektohet marrëveshja, perspektiva evropiane dhe euroatlantike e vendit në këtë rast do të jetë e paparashikueshme. Asnjë s’mund të thotë nëse dhe kur do ketë një tjetër shans dhe nëse do ketë një të tillë”, potencon Vajgëll.