Vaksina kineze thyen barrierën, merr konfirmimin e OBSH për përdorim masiv

Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi për përdorim emergjent vaksinën kineze kundër koronavirusit, Sinovac. Kjo është vaksina e parë e zhvilluar në një vend joperëndimor që merr miratimin e OBSH-së.

Kina tashmë ka vaksinuar disa miliona njerëz me këtë vaksinë, ndërsa ajo është shpërndarë edhe në dhjetëra vende të tjera. Drita jeshile nga OBSH-ja është një udhëzues për rregullatorët kombëtarë se vaksina është e sigurt dhe efektive. Disa rregullatorë shëndetësorë, sidomos në vendet më të varfra në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi, e kanë miratuar tashmë vaksinën kineze.

Por, miratimi nga OBSH-ja do të thotë se vaksina mund të përdoret edhe në programin global Covax, i cili synon të sigurojë rreth dy miliardë vaksina për vendet në zhvillim. Deri më tash, Covax ka shpërndarë rreth 50 milionë doza vaksinash – 24,000 prej tyre (AstraZeneca) edhe në Kosovë.

Një nga avantazhet kryesore të vaksinës Sinovac është se ajo mund të ruhet në një frigorifer standard, në 2 – 8 gradë Celsius, njësoj sikurse vaksina e kompanisë anglo-suedeze AztraZeneca. Për krahasim, vaksina e prodhuesit amerikan Pfizer dhe atij gjerman BioNTech duhet të ruhet në temperatura ultra të ftohta: -70 gradë Celsius. Testimet e vaksinës Sinovac në Brazil kanë treguar se efikasiteti i saj është 50.4 për qind – pak mbi pragun 50%, që është i nevojshëm për miratim nga OBSH-ja. Testimet e tjera në Turqi dhe Indonezi, megjithatë, kanë treguar një shkallë më të lartë të efikasitetit.