Chermen Valiev, medalisti i parë olimpik në historinë e Shqipërisë, vijon të përfaqësojë me sukses flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Suksesi i radhës për mundësin 26-vjeçar vjen nga Kampionati Botëror i Forcave Ushtarake, aktivitet i zhvilluar në Warendorf të Gjermanisë.
Valiev shkëlqeu në këtë turne, duke i dhuruar Shqipërisë medaljen e artë, për t’u kurorëzuar kampion Bote.
Një tjetër arritje për Chermen Valievin, i cili po kalon një formë të jashtëzakonshme, ku gjithçka vjen falë përkushtimit, disiplinës dhe profesionalizmit të lartë të këtij sportisti.
Valiev, siç dihet shkroi emrin e tij në historinë e sportit shqiptar, duke fituar medaljen e bronzit në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Vetëm pak muaj më parë ai shënoi një tjetër rezultat të jashtëzakonshëm me ngjyrat e Shqipërisë, pasi u shpall kampion i Europës.
Valiev numëron gjithashtu edhe dy medalje të arta në kompeticionet “Grand Prix” të mundjes së lirë.
I afruar në Kombëtare nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, kjo zgjedhje ka dhënë menjëherë rezultate fantastike në arenën ndërkombëtare.