Varfëria në Maqedoninë e Veriut është në rritje!

Shtrenjtimi i produkteve të ushqimit bazë çdo ditë e më shumë vetëm se po rritet. Me këtë, ekspertët paralajmërojnë se gjatë muajve në vijim do të kemi edhe rritje të varfërisë në vend. Pasi nga dje u shtrenjtua edhe çmimi i rrymës elektrike dhe gjatë muajve të ardhshëm pritet të kemi edhe rritje të çmimit të ngrohjes. Sipas njohëseve të çështjeve ekonomike, kjo do të bëjë ta rritë numrin e personave të cilët do të kërkojnë ndihmë nga shteti. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), është duke përgatitur masa për t’i ndihmuar personat të cilët gjenden në rrezik. Sipas të dhënave, për momentin me ndihmë sociale jetojnë rreth 36.000 qytetarë, nga të cilët gjashtë mijë janë të regjistruara rishtazi nga viti i kaluar – ku kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë me virusin korona.

Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale, ka thënë se gjatë këtij viti nuk presim shifra të tilla, sepse nuk pritet që qytetarët ta humbin punën për shkak mbylljes së kompanive, por ata për shkak çmimeve të larta nuk do të kenë mundësi t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet. “Një dimër vërtet i vështirë po vjen. Prandaj bashkë me ministrin e Financave, Fatmir Besimi, po planifikojmë një paketë masash të cilat do t’i ofrojmë nga shtatori, për t’ua lehtësuar të gjithë qytetarëve, sidomos atyre me rrezik social mundësinë që t’i mbulojnë harxhimet. Gjithashtu edhe me Ministrinë e Ekonomisë, jemi duke planifikuar një paketë të veçantë për varfërinë energjetike, ku një pjesë e faturës paguhet për energjinë elektrike. Sistemi i ministrisë është dëshmuar të jetë efikas dhe mund të përfshi të gjithë qytetarët e me rrezik social”, u shpreh Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Sipas të dhënave të fundit statistikore, në vitin 2020 një e katërta e qytetarëve, ose 452 mijë, jetonin nën kufirin e varfërisë. E kanë shtyrë me 5600 denarë për muaj. Varfërinë e ndjejnë më së shumti familjet me katër anëtarë, por edhe të rinjtë deri në moshën 17 vjeç. Ndryshe, për të plotësuar nevojat bazë mujore, një amvisëri ka nevojë për gati mbi 38.800 denarë në muaj.

Qytetarët thonë se pas rritjes së çmimeve duhet të zgjedhë t’i paguajë faturat apo t’i sigurojë gjërat elementare ushqimore për familjen e tij prej gjashtë anëtarësh. Sipas tyre, përgatitja e një vakti ushqimor kushton afërisht 10 euro dhe kjo shifër është e papërballueshme për ata të cilët kanë paga minimale.

Nga ana tjetër, sot Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), vendosi 14 karrige para Kuvendit dhe 8 kartonë të verdhë për deputetët që janë pjesë e Komisionit për financim të buxhetit. Ata kërkuan të votojnë propozim-amendamentin për rritje lineare të pagave të punëtorëve për 2.806 denarë. “Do të kërkojmë publikisht dorëheqjen e atyre deputetëve, me emër e mbiemër, sepse nëse ngrenë dorën për “jo”, do të thonë se nuk janë për punëtorin dhe nuk janë për popullin në këto kohë të vështira. Andaj, kolegë deputetë, merreni seriozisht punën tuaj, punëtori maqedonas pret që sot të votoni amendamentin e LSM-së për rritjen e pagës për 2806 denarë për të gjithë nga 1 korriku”, tha kryetari i LSM-së, Darko Dimovski. Ai gjithashtu shtoi se greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Ndryshe, më bazë të llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, shpenzimet për shportën mujore për një familje prej katër anëtarësh në nëntor të vitit të kaluar, kanë arritur në 34.893 denarë.