Vasili: Lavrov dekonspiron ‘Ballkanin e Hapur’ si nismë ruso-serbe

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili deklaroi se ‘Rusia mbështet projektin e Aleksandër Vuçiç, ‘Open Balkan’.

Në një konferencë online nga Moska, pasi avioni i tij nuk u lejua të futej në Serbi, Lavrov u shpreh se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Beogradin.

Sipas Petrit Vasilit, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov e tha hapur në shesh se ‘Ballkani i Hapur’ është një projekt ruso-serb.

Reagimi i Petrit Vasilit:

“Sot Lavrov nxjerr haptas në shesh që ‘Ballkani i Hapur’ është një strategji ruso-serbe.

Ai tha sot:

Lavrov: Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur – tha ministri i Jashtëm rus.

Pak javë më parë i kërkova parlamentit shqiptar me amendament daljen e menjëhershme nga ‘Ballkani i Hapur’ si një nismë ruso-Ssrbe dhe anti-euroatlantike.

Votimi kundër ishte një votim tradhtarësh. Ja ku e keni dëshminë tronditëse në fjalët e Lavrov. Letrat u hapën, Rama është thjesht një shërbëtor i bindur i interesave ruso-serbe.” tha ai.