Vazhdojnë akuzat në mes Ziadin Selës dhe Agim Nuhiut

0

Me vetë faktin që policia është ende e pranishme te qytetarët që protestojnë për problemin e ujit të pijshëm në Siniçan, treguam se jemi shtet policor me urdhra të Nuhiut i cili është nga radhët e BDI-së, deklaroi lideri i ASH-së, Ziadin Sela.

Ai e thirri BE-në të kyçet në gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi. Këtë e bëjnë biznes personat e BDI-së të cilët duan që në vend të ujit të pijshëm për qytetarët të ndërtojnë hidrocentrale, pohon Sela.

Policia i mbron interesat e qytetarëve, e jo interesat partiakë, doli me kundërpërgjigje ministri i brendshëm, Agim Nuhiu, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe kritikat. Ai i porositi Selës se partia e tij po merret me kualifikime emocionale dhe paragjykime, të cilat, siç pohon, janë larg realitetit.

Akuzat e tilla të ndërsjella, vijuan pasi prej dje një grup qytetarësh po tentojnë të vijnë në vendin ku është paraparë ndërtimi i sistemit të ujësjellësit, por nëpunësit policorë i kanë penguar në qëllimin e tyre.