Vazhdojnë konferencat shkencore për trashëgiminë kulturore në Luginë të Preshevës

0

Nga Sevdail HYSENI/
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë, të cilën e drejton profesor Xhemaledin Salihu, ka bërë të dikur se organizimi dhe mbajtja e konferencave me karakter shkencor do të vazhdojë edhe këtë vit, me pak vonesë për shkak pandemisë dhe kushteve jo normale për zhvillimin e tyre.

Konferenca e radhës e kësaj shoqate preshevare titullohet: “Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve të tjera shqiptare”, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare : Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Lugina e Preshevës, diaspora etj.
Qëllimi i konferencës është shqyrtimi dhe trajtimi shkencor i trashëgimisë kulturore material të paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe botimi komplet i materialit në një libër të vetëm.

Lugina e Preshevës dhe viset shqiptare kanë një pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore materiale të paluajtshme, e cila nuk është hulumtuar, studiuar , trajtuar e shqyrtuar shkencërisht sa duhet. Andaj, qëllimi kryesor i saj është që në suaza të mundësisë ajo të hulumtohet, studiohet, trajtohet dhe shqyrtohet me metoda shkencore, pastaj për ta përmbledhur në një libër për publikun, për të arriturat sidomos të Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare në këtë lëmi, të trashëgimisë kulturore materiale të paluajtshme.

Siç mësuam nga kryetari i shoqatës prof. Xhemaledin Salihu, temat me të cilat do të prezantohen kumtesat e pjesëmarrësve do të përfshijnë: Kalatë, Kështjellat, Parqet arkeologjike, Lokalitetet, Vendbanimet, Nekropolet -Xhamitë, Teqetë, Tyrbetë, Kishat, Manastiret, Varrezat, Shtëpitë, Odat, Kullat, Ndërtesat shoqërore, Hanet, Mullinjtë, Çezmet, Bunaret, Përmendoret, Lapidaret, Bustet, Pllakat përkujtimore, Objekte e vende të tjera të trashëgimisë kulturore material të pa luajtshme.
Gjithashtu, bëhet e ditur se bordi i konferencës shkencore do të përbëhet nga: Prof.dr. Drita Halimi-Statovci-etnologe, Prof. dr. Nebi Islami, filolog, Prof.dr. Agron Xhagolli-kulturë popullore/folklorist/, Dr. Rovena Vata, albanologe, studiuese-kritike dhe Xhemaledin Salihu, profesor, studiues, ndërsa koha e paraqitjes së punimeve fillon më 11 tetor 2020 dhe përfundon më 24 tetor të këtij viti, kur do të filloj zhvillimi i konferencës shkencore.