Vazhdon debati për ribalancin e buxhetit

Komisioni Parlamentar i Financave dhe Buxhetit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut edhe sot pritet të vazhdojë debatin për ribalancin e buxhetit, përmes amendamenteve të propozuara.

Gjatë ditës së djeshme, në ditën e gjashtë të debatit, janë shqyrtuar 19 amendamente, prej të cilave është pranuar vetëm një, me të cilin kërkohet të ndahen 2.5 milionë denarë për pastrimin e deponisë industriale në Nerez, përcjell INA.

Janë dorëzuar gjithsej 204 amendamente, nga të cilat mbi 170 nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE, 28 nga Aleanca e Shqiptarëve dhe dy nga shumica parlamentare. Sipas Rregullores së Punës, debati amendamentues zgjat dhjetë ditë.(INA)