Vazhdon mobilizimi i pjesshëm në Rusi, rezervistët: Vështirë të ndahemi nga fëmijët

Mobilizimi i pjesshëm i urdhëruar nga presidenti rus Vlladimir Putin është duke u zhvilluar në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë, Yakutia. Në këtë vend një stadium i brendshëm u shndërrua në qendër rekrutimi.

Një nga banorët theksoi se nuk priste që gjërat të ndodhnin aq shpejtë. Ai thirrjen për të luftuar në Ukrainë e mori në rrugë.
“Nuk e prisja këtë. Shkova në kopsht me vajzën time dhe thirrjen ma dhanë në rrugë. Erdha menjëherë këtu. Jam mirë, ruaj qetësinë. Shpresoj të kthehem së shpejti në shtëpi”, deklaroi Pavel Sokolov, banor.

“Familjarët qajnë. Gjëja më e vështirë është t’u thuash lamtumirë fëmijëve”, tha Dimitri Plashenko, banor.

“Mendoj se nuk është lufta ime. Është ndoshta lufta e rusëve dhe ukrainasve. Jo e imja”, u shpreh Mikhail Vinokurov, banor.

Ndërkohë një video e shpërndarë në rrjetet sociale, tregon se si rezervistët e mobilizuar për tu dërguar në front, janë zënë me njeri-tjetrin ndërsa janë të dehur. Agjencia e lajmeve Nexta, nuk i ka kursyer ironitë mbi ngjarjen. “’Mbrojtësit e atdheut’ të mobilizuar në gjendje të dehur filluan sherrin mes tyre. Duket se jo të gjithë do të arrijnë në front”, thuhet në përshkrimin e videos.

Nga ana tjetër dëshmi të shumta vijnë rreth situatës së krijuar, ku raportohet se gratë ruse janë gati t’u thyejnë gjymtyrët burrave të tyre për t’i deklaruar të paaftë për të luftuar.

Ndërsa mobilizimi i Putinit po mbush autobusët, mijëra njerëz dhe makina vazhdojnë të largohen nga Rusia duke krijuar radhë të gjata në pikat kufitare për të shmangur thirrjen për të luftuar në Ukrainë. Në kufirin me Gjeorgjinë janë parë radhë të gjata automjetesh. Disa kalojnë në vendin fqinj, duke përdorur biçikleta për të anashkaluar vonesat dhe ndalimin nga autoritet. Situatë e ngjashme është edhe në kufirin me Finlandën. Roja kufitare i Finlandës tha se numri i rusëve që hynë në vend të enjten ishte më shumë se dyfishi i të enjtes së kaluar. Kremlini i quan të ekzagjeruar lajmet për këtë “eksod’./Alsat.mk