Vdekja e ngadaltë e ëndrrës politike të Emmanuel Macron

ina-online
ina-online

23/12/2023

Nga Gavin Mortimer “The Spectator”

Kur nisi të shkojë gjithçka keq për Emmanuel Macron? Në fjalimin e tij në fund të vitit të kaluar me rastin e Vitit të Ri, presidenti i Francës i bëri thirrje popullit të tij që të tregonte “unitet, guxim dhe ambicie kolektive” gjatë vitit të ardhshëm.

Ai e pranoi se do të kishte sfida, duke iu referuar reformës së afërt të pensioneve, megjithatë presidenti shprehu optimizmin e tij se, së bashku ata mund “forcojmë pavarësinë tonë, madhështinë tonë “ dhe të ndërtonin një “Francë më të fortë, dhe më të drejtë për të gjithë”.

Të gjithë mund të ëndërronim. Megjithatë viti 2023 i Macron ka qenë një makth i vërtetë, një ‘annus horribilis’ (viti i tmerrshëm) për të, pasi Franca ka kaluar nga një krizë në tjetrën. Trazirat, grevat, sulmet islamike, demonstratat e ekstremit të djathtë, krimi i organizuar, vrasjet në rritje nga dhe midis karteleve të drogës, dalja jashtë kontrollit e migracionit dhe krizat serioze në arsim, shëndetësi, strehim dhe transport publik.

Dhe si për t’i vënë kapakun, në fillim të kësaj jave Banka e Francës, e uli parashikimin e saj mbi rritjen e ekonomisë së vendit për vitin 2023, nga 0.9 në 0.8 për qind. Banka qendrore e Francës parashikoi se rritja ekonomike do të përshpejtohej deri në vitin 2026.

Por këto ditë presidenti i saj mund të flasë vetëm për një lojë të mirë. Ajo që Franca po përjeton është vdekja e ngadaltë e Macronism-it, ashtu si një brez më parë Blairizmi u shumua para syve të britanikëve. Ashtu si Tony Blair, edhe Macron ishte i ri, dinamik dhe plot optimizëm kur erdhi në pushtet. Në fjalimet e tyre të fitores, me 20 vjet diferencë kohore, kryefjala e tyre ishte termi “e re”.

Kjo ishte “Rruga e Tretë” e tyre, që në rastin e Macron nënkupton ecjen nëpër një shteg të ngushtë midis së djathtës ekstreme të Marine Le Pen dhe së majtës po ekstreme të Jean-Luc Melenchon.

Ai tërhoqi që në fillim mbështetjen e një pakice entuziaste, njerëz nga brezi dhe mjedisi i Macron. Të tjerët ishin më mosbesues. Në reçensën e vizionit të “Rrugës së Tretë” parashtruar nga Macron në librin e tij të vitit 2016 “Revolucioni”, e përjavshmja “Le Point”, shkruante se filozofia e tij social-liberale ishte “joshëse, por ende e paqartë…se ata që shpresonin të zbulonin një projekt të detajuar politik në librin e Emmanuel Macron do të zhgënjehen…”

Macron ishte gjithsesi i kënaqur të zhvillonte një “vizion, një narrativë, një testament”. Ai vizion synonte ta kthente Francën në një komb që do të ishte në krye të risive dhe inovacioneve në të gjitha fushat. Ai mendoi se kjo gjë do të ishte e lehtë të arrihej, pasi vetë jeta e tij kishte qenë e thjeshtë deri në atë moment: një histori suksesi me promovime në karrierë që erdhën njëra pas tjetrës.

Por ai nuk mbajti premtimet e dhëna ndaj tyre. Sot pak njerëz vazhdojnë të ndjekin vizionin e tij. Shumica janë distancuar gjithnjë e më shumë, tejet të zhgënjyer me presidentin e tyre. Ata janë të lodhur nga arroganca dhe fyerjet e tij. Macron i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar vetëm sepse kundërshtarja e tij ishte Marine Le Pen, dhe jo sepse ofroi shpresë apo frymëzim.

Bindjet politike të Macron mbeten të paqarta. Sot shumë francezë mendojnë se ai është thjesht një aktor i mirë me një kostum elegant. Kufizimet e staturës së tij në skenën ndërkombëtare kanë dalë shumë qartë në pah nga pushtimi rus i Ukrainës dhe konflikti në Gaza.

Në të dyja rastet, sipas një analisti politik veteran, Macron është shfaqur si një “lepur para prozhektorëve”. Diplomacia e tij në Afrikë ka qenë katastrofike. Këtë javë BBC e akuzoi për shkaktimin e një “pakënaqësie të gjerë në mesin e popullatave të reja urbane në të gjithë Afrikën Perëndimore”. Problemi qëndron tek qasja e tij, të cilën BBC e përshkroi si “autoritare dhe tepër agresive”.

Francezët e njohin shumë mirë këtë sjellje. Sepse asnjëherë nuk ka pasur një kryetar shteti më përçarës në Republikën e Pestë, i mishëruar nga projektligji i këtij muaji mbi emigracionin. Në përpjekjen për të ndjekur një “Rrugë të Tretë” midis një projektligji që ishte shumë i dobët dhe atij që ishte shumë i ashpër, Macron ka nxjerrë në pah kontradiktat e qenësishme të Macronizmit.

Kjo inkoherencë u tregua qartë nga një prej deputetëve të Macron, Jean-René Cazeneuve, i cili javën e kaluar u akuzua për kërcënimin me poshtërim të udhëheqëses së të Gjelbërve në Asamblenë Kombëtare.

“Do të qethesh tullë sepse ke bashkuar votat me Tubimin Kombëtar”- thuhet se i tha Cyrielle Chatelain, një referencë ndaj grave franceze ua qethën flokët në publik pas Ditës së Çlirimit në vitin 1944, për shkak të marrëdhënieve intime me pushtuesit gjermanë.

Të Gjelbrit dhe Tubimi Kombëtar i Le Pen kishin votuar kundër projektligjit të emigracionit. Këtë javë Cazeneuve votoi për projektligjin, së bashku me Tubimin Kombëtar. Në një editorial me tone shumë kritike botuar të mërkurën, e përditshmja “Le Figaro” shkruante se tani partia e Macron është “e shkërmoqur” sepse udhëheqësi i saj zvarriti për një kohë shumë të gjatë një çështje me një rëndësi shumë të madhe për popullin francez.

“Le Figaro” ia atribuoi këtë dështim “verbërisë së vazhdueshme” të presidentit ndaj emigracionit masiv. Dikur ishte Lufta e Irakut, ajo që shkaktoi vdekjen e “Blairizmit”. Për Macron projektligji i emigracionit është fillimi i fundit të tij.

Arkitekti i projektligjit të shumë-diskutuar ishte Bruno Retailleau, udhëheqësi i republikanëve të qendrës së djathtë në Senatin francez. Partia e tij u shkatërrua 7 vite më parë nga dezertimet e shumë figurave që shkuan me Macron, kur ky nisi lëvizjen e tij politike “En Marche” (Në marshim), ndaj hakmarrja është e ëmbël. “Macronizmi po merr fund”- deklaroi të mërkurën për mediat Retailleau. Rruga e Tretë nuk të çon më askund.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

arber-zaimi

Kujt po i pengon pse po përzihet Albin Kurti?

IMG_9334

Milionat e shpenzuara për mbështetje mediale si tregues që BDI-ja e ka humbur mbështetjen e votuesve

ilir-meta

Shqiptarët garanci për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut

FURKAN SALIU

Lufta për fronin e BDI-së

bdi-ali-ahmeti-cair

Pse BDI brenda një jave braktisi idenë 15-vjeçare për President Konsensual?

andi-bushati

Sa VLEN Albin Kurti në Maqedoni?

kim-mehmeti

Aty ku të gjithë majmen nga varfëria e popullit!

Bekim Qoku

Qoku: Ahmeti dhe BDI larg Kosovës dhe afër Serbisë

Daut Dauti

Nga Yeni (Novi) Pazari në Skopi (Shkup)

INFO

NA NDIQ