Vdes në fushë futbollisti 17-vjeçar i “Trepça 89” (FOTO)

Një futbollist 17-vjeçar i klubit kosovar “Trepça ’89” ka ndërruar jetë gjatë një ndeshje futbolli, bëri të ditur Federata dhe klubi mitrovicas.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se sot pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë futbollisti i Trepçës ’89 dhe lojtari i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi.

Sipas FFK-së, Kajtazi ishte duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça ’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, dhe për një moment, sipas federatës, ka rënë pa vetëdije në fushë.

“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren”.

“Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se futbollisti, Erion Kajtazi, ishte pjesë edhe e ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës.

“Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi”, shkroi Ademi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Foto e futbollistit KËTU