Eksperti britanik: Dy opsione janë përpara për Kosovën, ky është i preferuari i BE-së dhe Gjermanisë

0

Sot në Bruksel, do të zhvillohet një rreth i ri i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim pritet të diskutohet çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Por, sipas James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës, Kosova është zotuar që do ta zbatojë Asociacionin.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Ker-Lindsay ka thënë se Kosova i ka dy zgjidhje për marrëveshjen finale: të lejojë formimin e ASK-së, ose të pranojë opsionin e marrëveshjes territoriale me Serbinë.

“Zyrtarisht, Asociacioni është diçka që Kosova është zotuar ta zbatojë. Duhet të bëhet. Por, shkon më larg se kjo. Në fund të fundit, dhe duke qenë shumë i sinqertë këtu, unë mendoj se zgjedhja me të cilën përballet Kosova është ose të kesh një Asociacion shumë të fortë që i jep komunitetit serb një shkallë shumë të lartë të autonomisë brenda Kosovës, ose duke pranuar opsionin e një lloj marrëveshje territoriale me Serbinë. Nëse Kosova nuk dëshiron të flasë për rregullimet territoriale, atëherë do të duhet të bëjë kompromis mbi Asociacionin”, ka deklaruar eksperti britanik për marrëdhënie ndërkombëtare.

Sipas tij, Bashkimi Evropian e veçanërisht Gjermania dëshiron zgjidhjen përmes Asociacionit.

“Sigurisht, BE, dhe veçanërisht Gjermania, është e etur për të parë Asociacionin. Sidoqoftë, unë dyshoj se SHBA beson se një marrëveshje toke mund të jetë më e lehtë për njerëzit që ta pranojnë në një periudhë më të gjatë – nëse ata mund të tejkalojnë kundërshtimin e tyre fillestar me idenë. Përsëri, për këtë Kosova duhet të bëjë një bisedë me veten e saj”, është shprehur më tej Ker-Lindsay.

Ai ka theksuar se nëse Kosova dëshiron një marrëveshje me Serbinë që nuk përfshin ndryshime territoriale, do të duhet të pranojë Asociacionin.

“Njerëzit duhet të kuptojnë se çështja e Asociacionit nuk do të zhduket – veçanërisht pasi BE-ja e sheh këtë si opsionin e preferuar – dhe se nëse Kosova dëshiron një marrëveshje me Serbinë që nuk përfshin ndryshime territoriale, atëherë do të duhet të pranojë një Asociacion të fortë”, është shprehur për “Bota sot” profesori i LSE-së James Ker-Lindsay.