Vetëvendosje deklarohet pas përfshirjes së Lutfi Hazirit në negociata për koalicionin

0

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani ka komentuar përfshirjen e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në grupin negociator të LDK-së me VV-në. Zogiani në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se me përfshirjen e Haziri është bërë një lloj balancimi i pushtetit brenda LDK-së. “Kam përshtypjen se është duke u bërë një lloj balancimi i pushtetit brenda LDK. Në këso situata sigurisht që kërkohet një gjithë përfshirje e faktorëve brenda një subjekti politik”, ka thënë ai për “Bota sot”. Për më tepër, ai nuk e sheh si problem përfshirjen e Hazirit dhe se nuk mundet të paragjykohet vetëm me fazën e negocimit siç po provohet të bëhet nga ndokush.