Vetting, del para KPK-së kryetarja e Gjykatës së Apelit në Korçë

0

Kryetarja e Gjykatës së Apelit në Korçë, Entela Prifti do të kalojë në sitën e Vetting-ut më 10 tetor, ora 10:30. Entela Prifti, do të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me një trupë gjykuese që përbëhet nga Firdes Shuli, Roland Ilia, Etleda Çiftja.

Ditën e djeshme u zhvillua seanca dëgjimore për dy gjyqtarë. Ahmet Jangulli, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative në Shkodër dhe Sotiraq Lubonja, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Korçë.

Dy gjyqtarët rezultuan me probleme me pasurinë sipas hetimit të pavarur dhe të thelluar që ka zhvilluar KPK. KPK ka shprehur rezerva për pasurinë e gjyqtarit Sotiraq Lubonja, pasi nuk ka dokumente justifikuese për dhuratat e marra në shuma të konsiderueshme monetare.

Ndërsa për Jangullin, KPK tha dje se rezulton se ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë. Gjyqtari rezulton me probleme edhe sa i takon vendimeve të dhëna prej tij, ndërsa DSIK ka konstatuar se gjyqtari është i papërshtashëm. Sipas KPK, Jangulli ka marrë ryshfet bashkë me prokurorin për lirimin e disa të pandehurve nga burgu.

Vendimi për ta do të jepet më datat 5 tetor për Jangullin dhe 8 tetor për Lubonjën.