Vjosa Berisha – producentja frymëzuese, aktivistja e pandalshme

Përtej aspektit profesional, Vjosa Berisha njihej për energjinë e saj organizative. Lakmohej fort e merrej si shembull e frymëzim. E bëri vetë të ditur se po përballej me një sëmundje të rëndë dhe nisi të fliste vullnetshëm për betejën të cilën po e zhvillonte. Bëri thirrje shpesh që njerëzit të mos dorëzoheshin. Madje përballjen me sëmundjen bashkë me ndryshimet fizike nisi që t’i shndërronte në një “trend” duke frymëzuar krejt ata që kanë halle shëndetësore. Sa qe gjallë nuk u ndal kurrë dhe krijoi platforma që do të vazhdojnë të funksionojnë si trashëgimi që la në skenën artistike. Vjosa Berisha vdiq të enjten, në moshën 49-vjeçare

Vjosa Berisha s’i kishte ndalur planet pavarësisht problemeve shëndetësore. Në prag të ditëlindjes së 50-të kishte caktuar edhe datat e mbajtjes së edicionit të 14-të të festivalit më të madh të filmit të gjatë artistik jo veç në Kosovë – “PriFilmFest”. Gjithmonë qe me plane për projekte të reja filmike, promovim të kinematografisë vendore jashtë a për mysafirët e edicionit tjetër të “Prishtina International Film Festival”. Berisha, producente, bashkëthemeluese e drejtoreshë e “PriFilmFest”, e udhëheqëse e shumë projekteve të tjera, vdiq të enjten, në moshën 49-vjeçare, në një spital në Londër, ku edhe po luftonte me sëmundjen e rëndë. Për bashkëpunëtorët e saj e jo vetëm, qe lajm tronditës e varfërim i jetës publike të Kosovës, e sidomos për industrinë filmike.

Punëtorja model

Përtej aspektit profesional, Berisha njihej për energjinë e saj organizative. Lakmohej fort e merrej si shembull e frymëzim. E bëri vetë të ditur se po përballej me një sëmundje të rëndë dhe nisi të fliste vullnetshëm për betejën të cilën po e zhvillonte. Bëri thirrje shpesh që njerëzit të mos dorëzoheshin. Madje përballjen me sëmundjen bashkë me ndryshimet fizike nisi që t’i shndërronte në një “trend” duke frymëzuar krejt ata që kanë halle shëndetësore. Sa qe gjallë nuk u ndal kurrë dhe krijoi platforma që do të vazhdojnë të funksionojnë si trashëgimi e një njeriu tejet punëtor.

Vjosa Berisha u lind në Prishtinë më 23 korrik 1972. Karriera e saj shtrihet në disa fusha. Kishte mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit. Më 2003, bashkë me bashkëshortin, themeloi “B2”-shin, një kompani për marrëdhënie me publikun, film dhe industri kreative me seli në Kosovë dhe Shqipëri.

Berisha është gjithashtu bashkëthemeluese e drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “PriFilmFest”. Edicionin e parë e mbajti më 2008 dhe prej atëherë solli në Kosovë emra të njohur të industrisë së filmit në botë deri tek ata hollivudianë. Festivali ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike e dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit “PriFORUM”, e cila mbledh dhe ofron mundësi të shkëlqyera për kineastët e rinj nga rajoni për të avancuar projektet e tyre dhe rrjetëzim me shumë ekspertë, profesionistë të industrisë së filmit. Prej vitit 2013 ajo qe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.

Në vitin 2015 Berisha mori pjesë në kursin e “EAVE Producers Workshop”, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në “EAVE Generation 2015”. Ajo është producente e dy filmave artistikë “Cirku fluturues” (2019) dhe bashkëprodhimin me Maqedoninë e Veriut “The Happiness Effect”. Sipas biografisë së Berishës, ajo ka punuar në shumë projekte të tjera duke qenë producente e programit për fëmijë “Sesame Street Workshop” në shqip dhe serbisht. Kishte studiuar në nivelin master për art, media dhe komunikim në Universitetin e Westminster në Londër e po ashtu edhe për diplomaci bashkëkohore në Universitetin e Maltës. Përtej këtyre qe shumë aktive dhe zë i fortë në promovimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara si LGBTI. Në vitet e fundit ishte udhëheqëse e Shtëpisë së Evropës në Prishtinë, e derisa sëmundja ia lejoi, udhëhoqi këtë institucion në Shkup.

Gruaja e guximshme

Miqtë e bashkëpunëtorët e saj e kanë kujtuar Berishën si një grua që mbi të gjitha frymëzonte.

Producenti e ish-drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se Vjosa Berisha si një producente dhe udhëheqëse e “PriFest” do të kujtohet përgjithmonë për kontributin e madh që i dha kinematografisë, promovimit të vendit dhe ngritjes profesionale që ua bëri filmbërësve vendorë.

“Si grua ishte e jashtëzakonshme në këmbënguljen e saj për një avancim edhe më të thellë të grave krijuese nga vendi ynë”, ka thënë Zharku.

Kuvendi i Kosovës, si institucioni kryesor i Republikës, seancën e së enjtes e ka nisur me një minutë heshtje në nderim të Vjosa Berishës dhe poetit Xhevdet Bajraj, i cili vdiq të mërkurën.

Aktori Afrim Muçaj, i cili qe pjesë e kastës në “Cirkun fluturues”, ka thënë se Berisha ishte një grua e sidomos një mike e jashtëzakonshme. Ka thënë se ndihet me fat që e ka takuar e ka punuar me të.

“Iku shumë shpejt dhe realisht jam thellësisht i pikëlluar me humbjen e saj”, ka thënë ai. Ka kujtuar se edhe në të gjallë të Berishës kishte thënë se ajo është producentja më profesioniste dhe më e dashur me të cilën ka punuar. Sipas tij, “Cirkun fluturues” do ketë ndër ëndrrat më të bukura.

“Na dha gjithçka dhe fluturuam bashkë nëpër sukseset tona të përbashkëta falë saj. Na e dhuroi ‘PriFilmFestin’, festivalin më të madh të filmit në Kosovë. Na dhuroi përplot vepra fantastike për pak kohë sa jetoi. Me mërzi të madhe sot, do t’i jem mirënjohës gjithë jetën”, ka thënë ai.

Aktorja Yllka Gashi, që së fundmi ka shëtitur botën si personazhi kryesor i filmit “Zgjoi”, ka thënë se Berisha ka qenë grua inteligjente, e guximshme, e jashtëzakonisht punëtore.

Sipas saj, sa më sfiduese situata aq më e motivuar ka qenë Berisha, që të punojë e të mos dorëzohej para asnjë vështirësie.

“Të rralla janë gratë që dinë me balancu e menaxhu punën e karrierën bashkë me martesë e familje. Po Vjosa ka ditë me i bë mirë dyjat e me shkëlqy në gjithçka”, ka shkruar Gashi në Facebook. Sipas saj, Berisha ka qenë e mbetet ikonë e Prishtinës e thesar i Kosovës, sepse puna e palodhshme që e ka bërë me vite të tëra, për ta bërë Kosovën vend më të mirë, do të jetojë gjithmonë.

Menaxherja e rrallë

Vdekja e Berishës ka bërë që edhe institucionet e vendit të ngushëllojnë familjen me telegrame e po ashtu të flasin për producenten në shkallë sipërore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami ngushëllimi për familjen, ka thënë se Berisha ishte jo vetëm një profesioniste e shquar, por edhe model i gruas së guximshme e stoike.

“Ndaj e tillë do të mbetet në kujtesën tonë. Kontributi i saj në industrinë e filmit është i çmuar. Ajo la pas një festival filmi, të cilin e bashkëthemeloi dhe që do të mbetet simbol, me të cilin do ta kujtojmë përherë. Ua përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor”, ka shkruar presidentja Osmani.

Berisha është kujtuar edhe nga Ministria e Kulturës. Ikja e saj është cilësuar e parakohshme duke ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe “kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë”.

“Vjosa Berisha, në 50 vjetët e saj, la një trashëgimi mbi 20-vjeçare në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFest’ për më shumë se një dekadë. Kolegialiteti, qasja pozitive dhe angazhimi i saj ishin të pashoq dhe do t’i mungojë gjithë komunitetit artistik”, ka shkruar MKRS-ja në Facebook. Sipas MKRS-së, vendi nuk ka humbur vetëm një artiste, por një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën.

Ish-ministri i Kulturës, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka konsideruar si lajm të rëndë e të dhembshëm atë për vdekjen e hershme të mikes së madhe, aktivistes së pareshtur, Vjosa Berisha.

“Kam pasur fatin që me Vjosën të njihemi gjatë e të bashkëpunojmë në projekte të ndryshme. Ka qenë një profesioniste e rrallë, një menaxhere e pashoqe, një mike e sinqertë dhe, mbi të gjitha, një person i dashur, me shumë vullnet, ide dhe kreativitet. Vdekja e Vjosës është humbje e madhe për skenën shqiptare të artit dhe kulturës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Si lumë të rrëmbyer energjie dhe pozitiviteti e një grua e guximshme, që u bëri ballë vështirësive me buzëqeshje, e ka përshkruar Berishën ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

“Pushofsh në paqe Vjosa Berisha, komuniteti artistik ka humbur shumë sot”, ka shkruar ajo në Facebook. Berisha njihej si mike e Teatrit Kombëtar të Kosovës pasi aty edhe është mbajtur “PriFilmFest” çdo korrik, qysh prej themelimit. Edhe TKK-ja nëpërmjet rrjeteve sociale u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të saj.

Pikërisht në TKK, rëndom në verë, mbahej “PriFilmFesti”, me të cilin Berisha për pak ditë sillte glamurin, shkëlqimin e kinemasë. Po aty, të enjten mbrëma, nata e fundit e edicionit të dhjetë të festivalit “FemArt” iu dedikua asaj.

“Mbrëmja e sotme është homazh për Vjosën. Për shpirtin luftarak, rezistencën, dashurinë dhe pasionin e saj për artin. Për solidaritetin e saj me të gjitha gratë në Kosovë dhe në botë. Sonte nderojmë angazhimin e saj artistik dhe njerëzor. Pusho në paqe Vjosa!”, qe paralajmërimi.