Në prag të sezonit veror, është miratuar në Kuvend vendimi për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare të Tabanocit, një hap i rëndësishëm në drejtim të modernizimit të shërbimeve kufitare dhe lehtësimit të lëvizjes për qytetarët, sidomos për mërgatën shqiptare.
Ky sistem, i cili tashmë funksionon me sukses në Bllacë dhe Jazhincë, synon të ulë pritjet, të eliminojë procedurat e tepërta burokratike dhe të sigurojë kalim më të shpejtë dhe efikas në kufi.
Lëvizja VLEN, e cila ka promovuar dhe mbështetur këtë reformë që nga fillimi, e ka cilësuar vendimin si përmbushje të një zotimi konkret ndaj qytetarëve:
“Ky është një përparim i rëndësishëm në përmirësimin e përvojës kufitare për mërgatën tonë, e cila për dekada është përballur me pritje të gjata dhe vështirësi të panevojshme. Shteti duhet të jetë në funksion të qytetarit, jo t’ia vështirësojë jetën”, thuhet në deklaratën e VLEN.
Sipas kësaj force politike, modeli “One Stop Shop” nuk është vetëm një reformë teknike, por shprehje e një filozofie të re të administratës publike: efikase, transparente dhe me respekt për qytetarin.
“Ky model përfaqëson një vizion të ri të administratës, që i jep qytetarit respektin dhe vlerën që meriton – veçanërisht mërgatës sonë, e cila luan rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.”
VLEN konfirmon se do të vazhdojë me reforma konkrete dhe të prekshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, duke synuar një shtet më funksional, më të drejtë dhe me shërbime publike cilësore.
Në fund, VLEN uron mirëseardhjen e mërgatës në vendlindje dhe angazhohet që kalimi i kufirit të jetë më i lehtë, më i shpejtë dhe më dinjitoz për të gjithë.