Nga VMRO-DPMNE kërkojnë nga drejtori i Doganave, Stefan Bogoev që të dalë në konferencë për shtyp për të njoftuar opinionin se fletobligacionet në vlerë të 92 milionë dollarëve, që u konfiskuan nga një shtetas turk, janë të pavlera, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se fletobligacionet janë me afat të skaduar dhe se personi në emrin e të cilit ishin fletobligacionet, është i vdekur.
“Stefan Bogoev duhet menjëherë të thërrasë një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, me pompozitet të njëjtë si ajo e mëparshmja, vetëm këtë herë për t’i kërkuar falje popullit për përhapjen e lajmeve të rreme. Mediat dje kanë njoftuar se letrat me vlerë janë me afat të skaduar dhe nuk kanë vlerë të shfrytëzueshme dhe për më tepër pronari i të njëjtëve ka vdekur. Letrat me vlerë si aksionet, obligacionet janë të dematerializuara, pra janë në formë elektronike. Kjo është bërë në vendin tonë në vitin 2001 me ngritjen e Depozitës Qendrore, në mënyrë që të gjitha llojet e letrave me vlerë të jenë në formë elektronike. E kuptojmë nevojën që Bogoev, i cili përballet me asnjë rezultat, me të cilin do të lavdërohej, të bëjë kështu para qytetarëve dhe t’i manipulojë ata me raste inekzistente dhe false, por e vërteta gjithmonë del në shesh”, thonë nga VMRO-DPMNE.