VMRO-DPMNE-ja opozitare protestoi në Shkup

0

Partia politike opozitare VMRO-DPMNE ka mbajtur një protestë në Shkup, duke porositur se revolucionari Goce Dellçev është “një simbol i Maqedonisë” dhe se “nuk do të heqin dorë nga kjo”, raporton Anadolu Agency (AA).

VMRO-DPMNE vazhdon me protestat tematike, pasi sonte u mbajt një protest tjetër ku morën pjesë disa mijëra qytetarë të cilët deklaruan se protestojnë “në mbështetje të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE), për Maqedoninë dhe për Goce Dellçevin”.

Protesta filloi para ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe vazhdoi përmes urës “Goce Dellçev” drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mbajti një fjalim para qytetarëve të pranishëm.

Duke kujtuar se Goce Delçev është në himnin e vendit të tij, Mickoski në fjalën e tij tha se për çfarë do të protestohet nëse jo për Dellçevin, duke theksuar se, “Dellçev është vija e kuqe”.

“Ky popull e don Dellçevin, sepse Dellçevi është një simbol i Maqedonisë dhe ne nga Dellçevi nuk do të heqim dorë. Dellçevi është kështjella jonë të cilën nuk do ta lëshojmë”, tha Micskoski.

Duke theksuar se e ardhmja e vendit është në BE, Mickoski tha se “Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e kryesuar nga Zoran Zaev, nuk është për BE-në, sepse është në kundërshtim me gjithçka që është vlerë evropiane”.

Kohës së fundit, VMRO-DPMNE po ashtu organizoi dy protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Kujtojmë se në vitin 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim. Sipas marrëveshjes, është formuar një Komision i përbashkët i ekspertëve për t’u pajtuar mbi faktet dhe dokumentet historiografike në lidhje me ngjarjet dhe personalitet e përbashkëta historike, përfshirë edhe për revolucionarin Goce Dellçev.