VMRO-DPMNE edhe sot përmes një komunikate ka reaguar kundër Qeverisë, duke përmendur kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.
“Askund në Evropë nuk është parë që një kompani në pronësi të gruas së kryeministrit të marrë tokë shtetërore për vetëm 70 denarë për metër katror.
Fatkeqësisht, ky është rasti në Maqedoni, ku kompania e gruas së Kovaçevskit, me vendim të qeverisë, në krye me të, ka marrë dhe ka blerë 1119 m2 tokë shtetërore për 70 denarë për metër katror. Kovaçevski mund të pretendojë se ka rënë nga një planet tjetër sa të dojë, fakti që partneri i tij kriminal Artan Grubi e ka firmosur këtë vendim nuk e çliron atë nga përgjegjësia, ndikimi dhe shpërdorimi i pozitës.
Në të njëjtën mënyrë është sjellë edhe Kovaçevski kur gruaja e tij ka hyrë në një biznes mbi 1 milion euro dhe tani me nënshkrimin e Grubit merr edhe tokën me çmim të volitshëm. Është e dukshme që me Grubin i mbrojnë kurrizin njëri-tjetrit, ai e ndihmon me skandale të përditshme dhe ai nga ana e tij ia kthen me privilegje shtetërore dhe privilegje për gruan e tij”, reagoi VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti thonë më tej se për këto të mos mendojnë se do të harrohen. “Do të pasojë një zgjidhje ligjore, një për të gjithë”, thuhet në komunikatën e partisë opozitare.(INA)