VMRO-DPMNE-ja sot reagoi ndaj postimit në Fejsbuk nga zëvendëskryeministri bullgar dhe ministri i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov, duke theksuar që “fuqimisht mohon gënjeshtrat” që po publikon ai dhe se askush nga funksionarët e partisë nuk ka pasaporta bullgare.
Sipas VMRO-DPMNE-së, postimi i sotshëm i Karakaçanovit, është lajm klasik i rremë.
“E qartë është se Karakaçanov, i udhëhequr nga politika e tij anti-maqedonase, synon të shpifë dhe të trillojë të pavërteta kundër funksionarëve të VMRO-DPMNE-së dhe kundër partisë, sepse VMRO-DPMNE-ja është parti politike në Maqedoni që kundërshton në mënyrë më të ashpër mohimet e tij të gjuhës maqedonase, populli maqedonas, identitetit maqedonas dhe histories maqedonase”, thuhet në kumtesën e partisë.
Ministri bullgar i Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov këtë mëngjes postoi në profilin e tij në Fejsbuk një listë me emrat e anëtarëve të opozitës maqedonase që pretendojnë të kenë shtetësinë bullgare. Në mes tyre përmenden emrat e Antonio Miloshoskit, Aleksandar Nikolloskit, Filip Petrovskit dhe të tjerë.
Lidhur me postimin e Karakaçanovit në rrjetet sociale në hartën e të ashtuquajturës Bullgaria e Shën Stefanit, zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Nikolla Dimitrov deklaroi të martën se bëhet fjalë për folklor parazgjedhor në prag të zgjedhjeve parlamentare të Bullgarisë.
Kryeministri Zoran Zaev, ndërkohë, tha se e konsideronte lëvizjen e Karakaçanovit si folklor zgjedhor dhe se çdo koment do të thoshte ndërhyrje në fushatën parazgjedhore të Bullgarisë.