VOA njofton lajmin e madh nga kompania amerikane: Ja se çfarë po përgatitet për Shqipërinë

Një kompani amerikane që synon futjen e Gazit të Lëngshëm Natyror (GNL) në Shqipëri, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për të studiuar mundësinë e një gazjellësi në vend.

Excelerate Energy me bazë në Teksas do të bashkëpunojë me kompaninë Snam dhe Albgazin për të eksploruar këtë mundësi.

Presidenti dhe shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane, Steven Kobos i tha Zërit të Amerikës tha se ky është në vazhdën e studimit të fizibilitetit për terminalin lundrues dhe termocentralin e Vlorës. Ai i tha koleges Keida Kostreci se objektivi është hyrja në treg dhe integrimi i Gazit Natyror të Lëngshëm si burim energjie në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Kobos, Excelerate nënshkroi një memorandum tjetër mirëkuptimi me Shqipërinë, me kompanitë Snam dhe Albgaz, kësaj here për të studiuar mundësinë e një gazjellësi në Shqipëri që do të fillonte nga Vlora dhe do të ndihmonte me burimet e energjisë në vend. Çfarë planifikon Excelerate të arrijë me këtë projekt?

Steven Kobos: Jemi të entusiazmuar për memorandumin që nënshkruam javën e kaluar, me kompaninë Snam, një partner i rëndësishëm evropian me qendër në Itali si edhe me Albgaz. Kjo në fakt është vazhdim i punës ekzistuese të fizibilitetit që po bën Excelerate në bashkëpunim me kompaninë Exxon Mobil lidhur me mundësinë e një terminali për importin e Gazit Natyror të Lëngshëm (GNL) në Vlorë. Ne do të krijojmë një komision me Snam dhe Albgaz dhe do të shikojmë se çfarë mundësish të mëtejshme mund të krijohen për zhvillimin e infrastrukturës për gazin në Shqipëri.