Vogel: SHBA-ja pret marrëveshje të shpejtë që ta shpallë Kosovën mision të përfunduar dhe të tërheqë trupat

0

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, thotë se SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Vogel thotë se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në largim, Albin Kurti, do ta ketë të vështirë të bindë SHBA-në dhe BE-në se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për të.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Vogel, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e re e Kosovës mund të formohet pa zgjedhje, por kryeministri në largim, Albin Kurti, ka thënë se ky vendim është i papranueshëm. Ku çon kjo situatë?

Toby Vogel: Para së gjithash nuk dua të komentoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese sepse nuk jam ekspert i kushtetutës. Jo domosdoshmërisht i kuptoj të gjitha ndërlikimet ligjore këtu. Por, ajo që mund të them është se kur qytetarët e Kosovës kanë dalë në zgjedhje vitin e kaluar, ata kanë votuar Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, bazuar në pritjet se ato do të formojnë qeverinë nëse zgjidhen.

Tani LDK-ja ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja [e koalicionit] dhe në aspektin e legjitimitetit politik, situata e krijuar kërkon zgjedhje të reja. Ky është këndvështrimi im personal dhe jo një analizë ligjore, jo një analizë kushtetuese.

Unë e kuptoj që Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Kurti, nuk e pranojnë këtë vendim, në kuptimin politik. Megjithatë, mendoj se do ta kenë shumë të vështirë për ta bindur Bashkimin Evropian dhe sidomos Shtetet e Bashkuara për pikëpamjet e tyre. SHBA-ja, në fakt, ka ndihmuar për ta bindur LDK-në që të largohet nga koalicioni qeverisës me kryeministër Kurtin, për arsyet e veta. Dhe tani, BE-ja dhe SHBA-ja bëjnë thirrje për përmbajtje, për respektimin e vendimit [të Gjykatës Kushtetuese].

Radio Evropa e Lirë: Por, shumë kanë thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë një precedent i rrezikshëm – e margjinalizon fituesin e zgjedhjeve dhe hap rrugë për manovrim politik në të ardhmen midis partive politike që mund të mos i fitojnë zgjedhjet…

Toby Vogel: Me sa e kuptoj unë vendimin, ai thotë se partia më e madhe, partia me numrin më të madh të ulëseve [në Parlament] ka shansin e parë për të formuar qeverinë. Dhe, nëse ajo, për çfarëdo arsyeje, nuk mund të formojë ose nuk mund të mbajë shumicën në parlament, atëherë presidenti mund të caktojë dikë tjetër për të formuar qeverinë. Kështu e kuptoj unë vendimin. Gjithçka tjetër do ta lejonte Vetëvendosjen të mbante peng gjithë procesin, duke mos emëruar një kandidat alternativ për kryeministër. E përsëris, nuk jam ekspert i Kushtetutës, por unë kështu e kuptoj vendimin dhe realitetin ligjor dhe politik pas tij.

Radio Evropa e Lirë: Një nga detyrat më urgjente të Kosovës është vazhdimi i dialogut me Serbinë, i cili është pezulluar në fund të vitit 2018. Kur dhe në cilat kushte mund të rifillojë ky proces?

Toby Vogel: Unë do ta përjashtoja idenë se dialogu është çështja më urgjente, sepse ky dialog ka vazhduar e është ndërprerë për gati një dekadë tashmë. Nuk mendoj se një muaj më herët ose një muaj më vonë është problem i madh. Urgjenca vjen nga pala amerikane. Amerikanët duan marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallin misionin të përfunduar dhe të tërheqin trupat nga Kosova.

Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin [amerikan, Donald] Trump. Do të ishte justifikim personal për Richard Grenellin [të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi], i cili duket se është përfshirë tani në fushatën për rizgjedhjen e Trumpit. Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës.