Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar takimin mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, përcjell Koha.net.
Ajo ka thënë se ka shumë mundësi që Vuçiqi është pajtuar ta takojë Zelenskyn që të ushtrojë presion mbi Ukrainën që të mos e njohë Kosovën. Ajo ka hedhur dyshime se presidenti serb i ka ofruar armë Zelenskyt në këmbim të mosnjohjes së Kosovës.
“Ka shumë të ngjarë që Vuçiqi ka pranuar ta takojë Zelenskyn, që të ushtrojë presion mbi Ukrainën: armë për të mos e njohur Kosovën. Shpresoj që Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar në një postim në rrjetet sociale.
Reagimi i saj vjen pasi që sot në kuadër të takimit të Athinës për bashkëpunimin rajonal me praninë e presidentit ukrainas Zelenski, u zhvillua edhe takimi i këtij të fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.(INA)