Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha sot në Parlamentin Evropian se Bashkimi Evropian i ka të gjitha instrumentet në tryezë për t’iu përgjigjur tarifave amerikane nëse është e nevojshme, pasi bota pret shpalljen e masave të reja tregtare nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
“Evropa nuk e filloi këtë konfrontim. Ne mendojmë se është e gabuar. Ne kemi gjithçka që na nevojitet për të mbrojtur popullin tonë dhe prosperitetin. Ne kemi tregun më të madh të vetëm në botë. Ne kemi fuqinë për të negociuar. Ne kemi fuqinë për t’iu përgjigjur tarifave amerikane”, tha von der Leyen në Strasburg.
Von der Leyen thotë se BE-ja është e gatshme të hakmerret kundër tarifave amerikane
Kreu i Komisionit theksoi se “të gjitha instrumentet janë në tryezë për kundërmasa” dhe paralajmëroi se tarifat “vetëm do të nxisin inflacionin, pikërisht e kundërta e asaj që duam të arrijmë”.
“Ne nuk duam domosdoshmërisht të marrim kundërmasa, por nëse kjo është e nevojshme, ne kemi një plan të fortë dhe do ta zbatojmë atë”, tha von der Leyen gjatë një debati me eurodeputetët mbi përfundimet e samitit të fundit të BE-së.
Pak ditë më parë, Trump kërcënoi me tarifa më të larta për Bashkimin Evropian dhe Kanadanë nëse ata punojnë së bashku për të “shkaktojnë dëm ekonomik në SHBA”.
BE-ja fillimisht njoftoi kundërmasat e para dhe më pas i shtyu ato deri në mes të prillit, duke përfshirë, për shembull, tarifat 50 për qind për burbonin amerikan. Në përgjigje, Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa prej 200 për qind për të gjitha verërat dhe produktet e tjera alkoolike nga BE-ja, nëse Brukseli do ta bënte këtë.