Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë Kosovën sot (26 tetor).
Von der Leyen do të ketë takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Me Osmanin do të takohet nga ora 09:45. Pas takimit është paraparë të ketë konferencë për media.
Nga ora 11:00, Von der Leyeni pritet ta takojë Kurtin.
Presidentja e KE-së të mërkurën nisi turneun në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vizitoi Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë e Maqedoninë e Veriut. Pas Kosovës, do ta vizitojë edhe Malin e Zi.
Von der Leyeni gjatë vizitës është fokusuar më së shumti në procesin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe ndihmën që BE-ja vazhdon t’u ofrojë vendeve të rajonit për të arritur progres në këto fusha.
Qeveria e Kosovës pret që gjatë vizitës së presidentes së KE-së të shtunën, të diskutohet për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian dhe përfitimet për Kosovën.
Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të trafikut për vizitën e Von der Leyenit
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për ndërprerjet e përkohshme të qarkullimit të trafikut që do të ndodhin gjatë ditës së sotme për shkak të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Policia ka njoftuar se ndërprerja e përkohshme e trafikut do të bëhet në intervale të shkurta kohor në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojë eskorta e presidentes së KE-së.
Gjithashtu, në afërsi të objekteve shtetërore, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, “andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.