Vrasja e Almirit, sot protesta për drejtësi

Sot para Prokurorisë Themelore Publike do të protestohet kundër rikualifikimit të rastit për vrasjen e Almir Aliut nga “Vrasje me paramendim” në “Aksident trafiku”.

Kjo protestë është organizuar përshkak të pakënaqësisë dhe revoltës së qytetarëve nga vendimi i Prokurorisë së Lartë e cila solli vendim t’i hiqet vepra ‘me paramendim’ të akuzuarit për vrasjen e Almirit, Boban Iliç. Vendimin për rikualifikim të lëndës e bëri të ditur kryeprokurori Lubomir Joveski në Kuvend para deputetëve.

Ai duke u arsyetuar për këtë vendim, deklaroi se para se ai të emërohet në këtë pozitë, Prokuroria e Lartë ka marrë vendim me shkrim, por se kjo lëndë ende ndodhet në procedurë në Prokurorinë Publike. Protesta u organizuan edhe kur në opinion qarkullonin zëra se lënda e rasti të Almirit mund të rikualifikohej. Pas këtyre zërave, përmes rrjeteve sociale, qytetarët u organizuan për të shprehur pakënaqësinë ndaj këtij vendimi eventual dhe të njejtat u mbajtën para Prokurorisë Publike, shkruan SHENJA.

Protestën e sotme e mbështet edhe Lëvizja Besa. Përmes një njoftimi për media, kryetari Afrim Gashi u bën thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë që ta mbështesin këtë protestë dhe të dëshmojnë se në cilën anë janë në kohën kur gatuhet vrasja e dytë për Almir Aliun. (INA)