Veterani i UÇK-së, 48-vjeçari nga Kaçaniku, Nysret Cena u vra mbrëmë me breshëri plumbash në veturën e tij. Cena, i cili ishte emër i njohur për organet e rendit u qëllua me armë zjarri nga persona akoma të paidentifikuar. Policia akoma s’ka rënë në gjurmët e të dyshuarve, të cilët ikën nga vendi i ngjarjes dhe ia vunë flakën veturës së tyre në fshatin Soponicë.
Vrasja ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku Cena u gjet i vdekur, në veturën e tij. Ai dyshohet se u qëllua teksa ishte në lëvizje, ku të dyshuarit fillimisht kanë shtënë në drejtim të veturës, e më pas e vranë atë. Vetura e tij u gjet jashtë rrugët kryesore, teksa trupi i pajetë u tërhoq për t’u dërguar në IML për obduksion.
Në anën tjetër në të njëjtën kohë, Policia ka marrë informacionin se një veturë po digjej në fshatin Soponicë të Kaçanikut, ku pasi janë kryer ekzaminimet është verifikuar se pronar është një qytetar nga Prishtina. Burimet nga Prokuroria thonë se në veturën që iu vu flaka, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë AK-47, me karikator të vendosur.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë përkatëse, ku kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e të dyshuarve.