Vuçiq ofendon Haradinajn, ja si ia kthen Ramushi

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka drejtuar deklarata fyese drejt kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK,) njëherësh edhe kandidat për president, Ramush Haradinaj.

Këtyre deklaratave të Vuçiqit, i është përgjigjur kreu i AAK-së Ramush Haradinaj duke i thënë se Kosova po kërkon vetëm atë që i takon.

“Përsa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon”, ka shkruar Haradinaj.

Më tej, ai tha se nëse Serbia dhe të tjerët dëshirojnë ta ndalojnë një refendum mbi bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë deri në vitin 2025, ka vetëm një zgjidhje.

“Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më properëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi”, ka shkruar Haradinaj në reagimin e tij.