Deputetja konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, Alicia Kearns, ka reaguar së fundmi në lidhje me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai të premten bëri shtatë kërkesa për Kosovën që përfshinte themelimin urgjent të Asociacionit, lirimin siç i quante ai “të burgosurit politikë”, e kërkesa të tjera.
Deputetja britanike ka thënë se pas deklaratave të Vuçiçit, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjent në Ballkan. Ajo shtoi se Vuçiç po e përdor taktikën e Vladimir Putinit duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës. Kearns shtoi se ka kaluar gati një vit nga sulmi në Banjska dhe BE-ja akoma nuk ka sanksionuar Serbinë.
“Pas deklaratave të mbrëmshme të Presidentit Vučić, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të fokusohet urgjentisht në Ballkan. Gati një vit pas sulmit në Banjskë ende nuk ka drejtësi, dhe pavarësisht përfshirjes së shtetit serb, ende nuk ka sanksione nga BE-ja (vetëm marrëveshje për litium dhe avionë).
Vuçiç po ndjek strategjinë e Putinit, duke shpallur plane për aneksimin e veriut të Kosovës. Kosova është një shtet sovran. Ballkani duhet të largohet nga pikëpamjet sektare, njerëzit e Kosovës së Veriut dhe serbët e Kosovës meritojnë më shumë, jo të përdoren si pengje dhe gurë shahu në ambiciet irredentiste”, ka shkruar ajo në “X”.