Vuçiq anulon pjesëmarrjen në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë më 6 dhjetor, deklaroi sonte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar emërimin e Nenad Rashiqit, si ministër i ri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës. Ai ka deklaruar se emërimi i Rashiqit nuk e ka marrë dënimin e merituar nga BE-ja.

Më 6 dhjetor në Tiranë është paralajmëruar mbajtja e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

“Emërimi i Rashiqit është i turpshëm, fjala më e butë që mund të përdoret. Ai njeri (Rashiq) fitoi më pak se një për qind në zgjedhje, ashtu si Rada Trajkoviq që ishte në listën e tij. Kjo tregon se ata duan persekutimin dhe përjashtimin e serbëve nga Kosova. Nuk jam i sigurt se nesër do të ketë një bisedë me komisarin evropian (Oliver Varhelyi) pas fjalëve të mia dhe vendimeve tona ndërkohë”, tha Vuçiq për TV Pink.

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidenti Vuçiq i është drejtuar se është “fundërrinë terroriste”.