Vuçiq: Përgjigjja e Serbisë ndaj dëshirës për të njohur Kosovën do të jetë “durimi dhe toleranca”

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se porositë nga Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni tregojnë se ata dëshirojnë vetëm që Serbia ta njohë Kosovën, por që përgjigjja e Serbisë ndaj gjithë kësaj, do të jetë “durimi dhe toleranca”.

Këtë deklaratë Vuçiq e ka bërë në një konferencë për media në Kurshumli, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike të serbëve të Kosovës.

Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur edhe pyetjes se a ka mundësi që statusi i Kosovës të zgjidhet në relacionin Prishtinë-Bruksel- Uashington, pa Beogradin.

“Do të shohim se çfarë do të thonë për Marrëveshjen e Uashingtonit. Po e shoh që nuk po u pëlqen. E vetmja gjë që do të dëshironin është që Serbia ta pranojë Kosovën. Në rast se ata mendojnë që kjo realisht është e mundur, atëherë, lum si ata. Ne nuk mendojmë ashtu”, tha Vuçiq.

“Më mirë t’i lëmë ata që ta tregojnë nervozizmin, ndërkaq që ne, do të vazhdojmë të merremi me fuqizimin e ekonomisë tonë”, theksoi presidenti serb.

Para se të bënte këto deklarata, Vuçiq bisedoi me përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 14 shkurt, në mjediset me shumicë serbe, fitoi numrin maksimal prej 10 ulëseve për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.