Vuçiq: Prishtina po planifikon një sulm të përgjithshëm në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq  mbrëmë  pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçaak, iu drejtua publikut me një mesazh se shqiptarët e Kosovës kanë marrë dy vendime – njëri është mohimi i së drejtës për të hyrë me letërnjoftime, e tjetra ka të bëjë me pranimin e tabelave RKS.

Sipas tij, vendimi i dytë është marrë me të vetmin qëllim që serbët të dëbohen, të bëhet operacioni i ri “Stuhia”. Ai shtoi se serbëve në Kosovë do t’u bëhet presion që të pranojnë targa RKS.

“Atyre që nuk do ta pranojnë do t’u konfiskohen targat dhe automjetet. Na dhanë afat për targat deri më 30 shtator dhe planifikojnë sulm të përgjithshëm në veri të Kosovës deri më 1 tetor.  Qytetarët e Serbisë duhet ta dinë se ata për këto vendime kanë përkrahjen edhe të  përfaqësuesve të vendeve të Quintit”, tha Vuçiq.

Presidenti serb theksoi se ka një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, ndërsa disa të tjerë nuk kanë qenë kurrë të gatshëm për një bisedë thelbësore dhe kanë mbështetjen e fuqive perëndimore. Këtu është e qartë se nuk ka dialog dhe bisedime. Do të ketë shumë probleme. Ne gjithmonë do të përpiqemi ta ruajmë paqen, por këtë nuk e duan të tjerët, jo vetëm shqiptarët nga Kosova, por edhe mentorët e tyre”, tha Vuçiq. (INA)