Vuçiq thërret takim urgjent të Këshillit të Sigurisë pas reciprocitetit me targa nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nesër në orën 10 të mëngjesit, në të cilën tema kryesore do të jenë ngjarjet në Kosovë.

Kështu raporton gazeta “Novosti” duke iu referuar burimeve, transmeton Klankosova.tv.

Raportohet se temë qendrore e takimit do të jetë vendimi i Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me targa ndaj Serbisë.

Drejtuesit e Listës Serbe kanë shkuar mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar të Jarinjes pas vendimit të Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj targave të veturave nga Serbia.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq nga atje i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që siç ka thënë” ndihmojë njerëzit dhe të reagojë në përputhje me mundësitë”.

“Unë i bëj thirrje të gjithë atyre që janë mbledhur të përmbahen, dhe gjithashtu Prishtinës të mos ngris tensione. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit, të cilët janë të shqetësuar se si të sigurojnë bukë për fëmijët e tyre. Ne gjithashtu informuam të Dërguarin Special Miroslav Lajçak dhe kërkuam ndihmën e BE-së. Dhe unë i bëj thirrje Presidentit Vuçiq të reagojë”, tha ai, raporton Kosovo Online, transmeton Klankosova.tv.