Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me protestën e paralajmëruar që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në deklaratën e saj, Vetëvendosje konfirmon mbështetjen për protestën, por njëkohësisht kërkon që aktorët politikë pjesëmarrës të tregojnë pendesë për qëndrimet e tyre të dikurshme rreth themelimit të Gjykatës Speciale.
“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate,” – thuhet në reagimin e VV-së.
Lëvizja shton se institucionet e Shqipërisë, si shtet anëtar i OKB-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së, NATO-s dhe afër Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi të përdorin forumet ndërkombëtare për të ngritur këtë çështje, në vend që ajo të mbetet vetëm në sheshet e Tiranës.(INA)