VV: S’mbështesim projekte që e bëjnë Kosovën vend trazit për shtetet tjera në rajon

0

Hekuran Murati, kryetar i Komisionit për Buxhet, ka thënë në Interaktiv të KTV-së se në Marrëveshjen për stabilizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë ka shumë pak ekonomi dhe që është në dëm të Kosovës.

Ai ka thënë se për mjetet financiare të cilat do të vijnë si investime, nuk kanë marrë përgjigje nga kryeministri Avdullah Hoti ende se në çfarë forme i janë dhënë Kosovës.

“Nuk ka marrëveshje aty, janë zotime të nënshkruara me vetveten që i ka marrë përsipër Kosova. Aty ka shumë pak ekonomi, dhe ajo që është shkon në dëm tonin, dhe jo në favor tonin. Ato janë mundësimi i korridoreve tranzit për Serbinë që kalojnë nëpër Kosovë dhe të cilat ne duhet me i financuar vetë, duhet me i paguar, me hy në borxhe për me ia shtruar një korridor Serbisë”, tha ai.

“13 miliardë na është thënë se është vlera, investime. Ditën tjetër thanë që është 1 miliard dhe sot u tha se do jenë 100 milionë dollarë financim. Nuk na është specifikuar a janë grant apo kredi, a duhet t’i kthejmë ato para. Duke u bazuar në natyrën e Bankës mund të vijmë në përfundim se do jenë kredi”, ka shtuar ai.

Murati ka thënë se përveç njohjes nga Izraeli, asnjë pikë tjetër në Marrëveshjen për stabilitet ekonomik me Serbinë nuk ka qenë e dobishme për Kosovën.

Ai ka thënë se projektet infrastrukturore, autostrada, linja hekurudhore dhe ajo ajrore nuk kanë pasur studim të fizibilitetit porse të njëjtat janë përcaktuar pa një të tillë, pa e ditur nëse do të jetë projekt i mirë për Kosovën.

“Si mundet një ekonomist me ardhur në përfundimin se është një projekt i mirë pa studim të fizibilitetit. Paradoksalisht, kemi një marrëveshje për disa projekte infrastrukturore që thuhet se Kosova do përfitojë, por që nuk është bërë studim fizibiliteti ndërsa për Ujmanin, një projekt ekzistues, do bëhet studim fizibiliteti”, shton Murati.