Walker: Reçaku përfaqëson atë se çfarë ndodhi në gjithë Kosovën

0

Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë dhe njeriu që doli publikisht para 21 vitesh duke dhënë alarmin për krimet serbe në Kosovë, William Walker, bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

deklaroi se është i kënaqur që njerëzit vijnë dhe nderojnë të rënët e Reçakut, pasi sipas tij, kjo simbolizon gjithë atë çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Ai shtoi se populli i Kosovës duhet të kujtojë çdo masakër tjetër që ka ndodhur njëjtë sikurse këtë të Reçakut, transmeton KP.

“Jam shumë i kënaqur se çdo vit më shumë njerëz nga Kosova vijnë të shohin se çfarë Reçaku është, atë që përfaqëson. Unë nuk jam i lumtur, por i kënaqur që i kushtohet më shumë vëmendje asaj se çfarë ka ndodhur këtu sepse përfaqëson atë se çfarë ka ndodhur në të gjithë Kosovën. Jam i familjarizuar me masakrën e Reçakut, por kishte dhjetëra e qindra masakra të tjera dhe shpresoj që populli i Kosovës t’i kujtojë ato masakra ashtu siç e kujtojnë masakrën e Reçakut, ajo se çfarë ndodhi këtu dhe ajo se çfarë ndodhi me krimet e tjera të luftës nëpër Kosovë”, deklaroi ai.

Walker tha se është i lumtur sa herë vjen në Reçak, për shkak të dashurisë dhe respektit që merr nga banorët.

Megjithatë, ai theksoi se gjithnjë i kujtohet ajo ditë e para 21 vitesh dhe për tmerrin që kishte parë.

“Kur unë vij këtu, me të vërtet e kujtoj ditën kur isha më 1999, dhe që më sjellë kujtime shumë të këqija, por duke parë fëmijët, familjet dhe fshatarët, shikoni si më trajtojnë mua, si mund të mos jem shumë i kënaqur dhe i lumtur kur vij në Reçak”, përfundoi Walker.

Më 15 janar 1999 Walker akuzoi forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për masakrën e Reçakut duke kërkuar drejtësi.

“Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, kishte qenë deklarata e famshme e Walker.

Para 21 vitesh në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Qeveria e Serbisë në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, më 17 janar 1999, shpalli Walkerin “person nongrata”, dhe i dha një afat prej 48 orëve për t’u larguar nga Jugosllavia.

Kjo masakër ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare që propozuan një konferencë për Kosovën dhe që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-së.