Xhaferi do t’i prijë propagandës për referendumin për emrin

0

Kryeparlamentari Talat Xhaferi do të udhëheqë Trupin Koordinues për zhvillimin e referendumit në nivel shtetëror dhe për zhvillimin e propagandës politike. Anëtarët të trupit do të jenë nënrkeytarët e Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare. Në komunikatën e ligjvënësit thuhet se në koordinimin e sotëm të rregullt në Kuvend, mes kryeparlamentarit, nënkryetarëve dhe koordinatorëve po ashtu është vendosur që deputetët të ndahen në tre kategori “për”, “kundër” dhe “bojkot”, për të zhvilluar një fushatë proporcionale mes tyre.

Kuvendi, do t’u japë mundësi të gjithë deputetëve të cilët janë “pro”, “kundër” ose “bojkot” që në Referendum proporcionalisht sipas prononcimit, të jenë të përfaqësuar dhe para publikut të mund t’i shprehin qëndrimet dhe argumentet e tyre – thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Trupi koordinues mes tjerash ka vendosur që sot, përmes shkresës, t’i drejtohet Qeverisë për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e fushatës publike. Për këtë do të hapet një llogari e posaçme bankare.

Edhe në koordinimin e sotëm nuk mori pjesë koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Megjithatë për vendimet në koordinim dhe për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme për zhvillimin e propagandës publike ata do të kontaktohen nga vetë Xhaferi, brenda ditës së sotme.