Xhaferi Miçel: Pritje për rezultat pozitiv në referendumin e ardhshëm

0

Xhaferi Miçel: Pritje për rezultat pozitiv në referendumin e ardhshëm
Xhaferi Miçel: Pritje për rezultat pozitiv në referendumin e ardhshëm
Publikuar: 11:50, 14 Shtator, 2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në takimin me ndihmës-sekretarin shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ues Miçel, tha se me vizitat e përfaqësuesve të lartë amerikanë, po dëshmohet përkushtimi i partnerit tonë strategjik për avancimin e procesit integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Siç kumton Kabineti i Xhaferit, kjo është edhe një nga seria e e vizitave të personave zyrtarë nga SHBA-të si konfirmim i mbështetjes së qartë, të fuqishme dhe të padyshimtë për Republikën e Maqedonisë.

“Në vazhdim, Xhaferi tha se prioritet i shumicës së re është realizimi i qëllimit strategjik të Republikës së Maqedonisë, dhe ky është anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO dhe për këtë arsye fokusi ishte drejtuar kah përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Fillimisht, u nënshkrua Marrëveshja për miqësi me Republikën e Bullgarisë dhe mandej edhe Marrëveshja me Republikën e Greqisë, që të tejkalohet edhe pengesa e fundit në realizimin e qëllimit”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të Xhaferit.

Ues Miçel, nga ana e vet, tha se opinioni në Republikën e Maqedonisë është tani më i vetëdijshëm për atë se sa fuqishëm e mbështet SHBA-ja Marrëveshjen e Prespës dhe e nënvizoi rëndësinë e rezultatit pozitiv të referendumit të ardhshëm, duke pasur parasysh se kjo është në dobi të shtetit.

“SHBA-të edhe më tutje do të ofrojnë mbështetje të padyshimtë për përparimin e Republikës së Maqedonisë, duke bindur se fokusi i shtetit të tij për rajonin është konstant dhe i padyshimtë”, tha Miçel.