Zaev a i ka 61 deputetë, ‘loja’ në Kuvend me votëbesimin e Qeverisë?

Edhe pse opozita ka ngritur iniciativa për votëbesimin e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, ky i fundit sipas njoftimeve partiake po institon që të testohet në Kuvend se a janë numrat e duhur të shumicës parlamentare, raporton INA.

Zaev sot ka shkuar në Kuvend, dhe se po bisedon me partitë e koalicionit për të vlerësuar raportet me partnerët e koalicionit dhe për të testuar se a janë 61 e më shumë deputetë për Qeverinë aktuale. Lideri socialdemokrat ka ndërmarrë një veprim të tillë, pas zërave të shtuara dhe pretendimeve të opozitës se maxhoranca aktuale nuk i ka 61 deputetë dhe se është pikërisht opozita që ka numrat e nevojshëm për të formuar Qeveri të re. Pas hapjes së seancës, kryetari i Kuvendit në fazën e plotësimit të rëndit të ditës vendosi kryeministrin të parin për propozim dhe plotësim të rendit të ditës, pas çka pati reagime nga opozita maqedonase e cila kërkoi një orë pauzë. Propozimi i Zaev bazohet nenin 124 paragrafi 3 të Rregullores së Kuvendit i cili thotë: “Mocion për besimin e Qeverisë mund të paraqesë edhe Kryetari i Qeverisë me shkrim ose gojarisht në seancën e Kuvendit”.

Ndaj kërkesës së kryeministrit Zoran Zaev ka reaguar Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE-ja. Ai tha se me votbesimin që kërkohet nga Zaevi, ai tenton të fsheh pasivitetin e deputetëve, mungesën e shumicës parlamentare dhe fshehjen e rasteve kri minale. “Dëshironi të fshihni mospunën e Kuvendit. Raste kriminale”; tha Micevski.

Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Skender Rexhepi theksioi se kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk duhej t’i jepte të drejtën e fjalës Zaevit, pasi ishte jashtë rendit të ditës. “Për këtë thashë se propozuesi duhet t’i përmbahej rendit të ditës, do të thotë ju t’ia merrnit të drejtën e fjalës që ai mos të deklarohet. Pikërisht për këtë, konsideroj se ky ishte veprim i përshpejtuar. Pika për votëbesimin është jashtë rendit dhe opozita nuk ka mundësi që japë vlerësimin e saj për Qeverinë, të ketë mundësi të reagojë dhe partitë politike të mund të shprehen për punën e Qeverisë deri tani”, tha Skender Rexhepi – Zejdi.

Ai shtoi, se me këtë po tentohet të fshihen “dëmet që i janë bërë arsimit dhe shqiptarëve po u mohohen edhe të drejtat e garantuara me kushtetutë, si protestat për “Monstrën”. “Na ndaluat të pyesim se pse shqiptarëve u ndalohet të protestojnë”, tha Rexhepi. Ai ka shtuar se me këtë veprim, shumica dëshiron të manipulojë me publikun se ka shumicën e nevojshme. Shumica aktuale parlamentare numëron 62 deputetë përfshirë LSDM, Lëvizja BESA dhe parti tjera të koalicionit me 46 deputetë, BDI me 15 deputetë, PDSH me një deputet. (INA)