Zaev me informacione për ikjen e Gruevskit

0

Në intervistën për Dojçe Vele në gjuhën maqedonase, kryeministri Zoran Zaev kryesisht është pyetur për arratisjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski nga Maqedonia në Hungari. Në këtë intervistë Zaev ka pranuar se Gruevski posedon pjesën mëtë madhe të informatave sekrete shtetërore dhe zyrtare. Ky informacion mund të jetë brengosës për BDI-në, parti e cila gati 10 vite ishte në koalicion me VMRO-DOPMNE-në, por edhe për shqiptarët, sepse nëse është ashtu, Gruevski nga Hungaria mund ta shantazhojë BDI-në me ndonjë informacion eventual sekret, përmes të cilit do të pengojë realizimin e kërkesave të shqiptarëve.
Më poshtë ju sjellim një pjesë të intervistës së Zaevit në Dojçe Vele, ku mes tjerash ka theksuar se nuk i konsideron fajtorë Shqipërinë dhe Malin e Zi ku qytetarët e Maqedonisë mund të udhëtojnë me letërnjoftime, duke shtuar se i intereson si e ka lejuar Serbia Gruevskin të kalojë për në Hungari pa pasaportë, duke pasur parasysh se qytetarët e Maqedonisë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Zaev poashtu ka thënë se ka biseduar me ministrin e punëve të brendshme Oliver Spasovski për përgjegjësi morale në rastin e ikjes së Gruevskit.

Në praktikat demokratike të cilat po i përmendni, ka diçka tejet të rëndësishme, që quhet përgjegjësi morale. Nuk pamë dikë të ofrojë dorëheqje si akt moral…?

Oliver Spasovski ka folur me mua lidhur me këtë çështje.

Unë nuk përmenda askënd, pse ju e përmendni Spasovskin…?

Sepse ai e bëri atë hap, bisedoi me mua. Si koleg në Qeveri dhe si bashkëpunëtor shumëvjeçar, çdo herë kemi biseduar se çka me aktin moral në rrethana të tilla. Sepse, nëse ka përgjegjësi morale, duhet të ketë argumentim për atë, të sqarohet, të locohet ku gjendet hazardi moral, problemi, lëshimi… Unë nuk shoh lëshim të tillë. Por nëse tregohet që ka pasur përgjegjësi – un do të kërkoj që të transmetohet konkretisht.

Megjithatë shpejtuar të kërkoni përgjegjësi nga vendet ku ka kaluar rruga e arratisjes së Gruevskit. Pse prej tyre?

Unë kërkova sqarim. E di që përgjegjësia, para së gjithash është e jona. Unë nuk flas për kufijtë që ka mundur t’i kalojë me letërnjoftim, nuk flas se si është futur në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Serbi. Pyes se si ka dalë nga Serbia. dua të di se si një qytetar i yni e ka kaluar pa pasaportë kufirin serb drejt Hungarisë. Dua të di nëse dikë tjetër prej nesh do të lëshojnë pa pasaportë me letërnjoftim të futet në Hungari, vend anëtar i BE-së.

Mirëpo ajo që duhet ta “prekni” është se cilat janë implikimet në sferën e sigurisë për shtetin nga arratisja e Gruevskit?

Mendoj se nuk do të ketë implikime në sferën e sigurisë. Maqedonia nuk varet nga asnjë individ, e as që ka individ që ka poseduar asi lloj informatash që i qëndrojnë në disponim, që të shkaktojë rreziqe të sigurisë për shtetin.
Nuk flasim për ndonjë individ, por për një ish kryeministër i cili në bazë të detyrës zyrtare ka pasur qasje edhe te një numër i madh i informatave “top sekret”.
Sigurisht që Maqedonia mund të lëndohet në njëfarë mënyre, sepse bëhet fjalë për njeri i cili 10 vite ka qenë kryeministër. Gjithçka që është e ndejshme, sekret shtetëror, sekret zyrtar, në pjesën më të madhe ka mbetur tek ai. Por, unë jam i bindur se nëse Gruevski vendos të “godasë” ose siç dinte ai të përdorë frazën “t’i ngulë thikë pas shpine Maqedonisë”, ai mund ta plagosë Maqedoninë, por sigurinë nuk mundet ta rrezikojë.