Zaev: Mosmarrja e datës, rikthen nacionalizmin radikal

0

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë në një konferencë kushtuar perspektivave evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe procesit të reformave në Austri se në rast se liderët evropianë të enjten ose të premten nuk sjellin vendim pozitiv, atëherë kjo do të kishte pasoja ndaj qeverisë dhe mund të çojë në humbjen e shumicës parlamentare. “Ne kemi kërkuar nga deputetët që të votojnë për ndryshimin e emrit, për ndryshimin e Kushtetutës, për pranimin e Marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, për shkak se BE-ja na ka premtuar datën për nisjen e bisedimeve, dhe jo anëtarësimin e menjëhershëm. Në këtë drejtim besoj se do të mbajnë llogari që të mos i lënë hapësirë palëve të treta, e nuk do të lejojnë të kthehet nacionalizmi radikal në vend”, transmetojnë mediat pjesë nga fjalimi i kryeministrit Zoran Zaev në diskutimin e organizuar nga instituti “Karl Renner” dhe fondacioni “Fridrih Ebert”. Duke komentuar mbledhjen e së martës së Këshillit të Ministrave në Luksemburg, Zaev shfaqi keqardhjen që Ministrat e BE-së “nuk kishin guximin e mjaftueshëm që të sjellin vendimin dhe të ruajnë motivimin tek Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”. “Problem është Franca, e dimë se reformat janë të nevojshme, por ato janë të mundshme që realizohen paralelisht me mos humbjen e motivimit për këto shtete. Në të kundërtën nacionalizimi, populizimi dhe radikalizmi do të kthehen. Ballkani shumë ka pësuar për shkak të kësaj. Kemi marrë mësim nga e gjithë kjo andaj duam të ecim përpara që bëhemi evropianë”. Kreu i qeverisë të mërkurën pasdite do të qëndrojë në Bruksel ku do të takojë komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, si dhe zyrtarë tjerë të lartë evropianë./REL