Zaev: Propozimi francez mbase nuk është më i miri, por është bazë e mirë për fillimin e negociatave

Besoj se këtyre ditëve Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian janë duke bërë një hap historik përpara. Propozimi i fundit i presidencës franceze është bazë e mirë që Maqedonia e Veriut ta fillojë procesin negociues që për të gjitha vendet fillon me konferencë ndërqeveritare dhe me skrining, porositi ish-kryeministri Zoran Zaev doke folur në konferencën e sivjetme të Ekonomist që mbahet në Athinë.

“Gjithsesi, propozimi nuk është më i miri, por ne jemi Ballkan. Duhet ta shfrytëzojmë momentin, duke e pasur në mendje se çështjet më të rëndësishme për ne, identitetin tonë, maqedonas nga Maqedonia e Veriut dhe gjuha jonë janë vendosur në tryezën negociuese, qartë si edhe të gjitha gjuhët e tjera dhe do të bëhet gjuha e ardhshme zyrtare e Bashkimit Evropian”, tha Zaev dhe shtoi se duhet të merret parasysh dhe të shfrytëzohet fakti që “BE në të ardhmen do të jetë në tryezë me ne dhe Bullgarinë, madje edhe për çështje bilaterale, përmes procesit negociues.

Zaevi potencoi se ajo që është e rëndësishme është se janë garantuar identiteti dhe gjuha maqedonase, shfaqi shpresë se propozimi francez do të votohet nga shumica në Kuvend ndërsa Qeverinë aktuale e këshilloi të dëshmojë lidership.

“E këshilloj Qeverinë të marrë vendime prej lidershipi, këtë e kemi bërë me mikun tim të madh, Aleksis Cipras me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës që solli stabilitet, solli mesazhe të mira drejtuar Bashkimit Evropian se këtu në Ballkan, në mënyrë evropiane mund të gjejmë zgjidhje për shumë çështje të rënda, përmes diplomacisë dhe dialogut dhe vazhdojmë të jemi shembull i mirë për Bashkimin Evropian dhe shpresoj se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë edhe përmes pranimit të propozimit të BE-së dhe përfundimisht pas 17 vitesh do të fillojë me negociatat”, tha Zaev dhe shtoi se procesi do t’i inkurajojë edhe vendet e tjera të rajonit.

Theksoi se Maqedonia e Veriut mori vendime shumë të rënda në disa vitet e kaluara. Vendi kontribuoi për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, së bashku me reformat në vend ndërsa paralelisht potencoi se interesi strategjik i vendit është menjëherë të fillojë negociata për anëtarësim me BE-në.

Të pranishmëve në konferencë u sqaroi se “ky është moment dramatik në Maqedoninë e Veriut”, pasi në vijim është procesi i konsultimeve të Qeverisë me partitë opozitare, me partitë qeveritare me ekspertë etj.

Tha se sot, nesër apo pasnesër Kuvendi do të duhet të votojë dhe shprehu bindjen se do të ekzistojë shumicë, duke potencuar se “ajo që është e rëndësishme është të shkojmë përpara drejt BE-së pasi nuk ka alternativë”.